SPAK tërhiqet nga kërkesa për shkarkim prokurori Habazaj

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) u tërhoq nga kërkesa për shkarkimin e prokurorit të Beratit, Gentian Habazaj. Ai kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurorit.

Gjatë paraqitjes së bisedimeve përfundimtare, prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, paraqiti konkluzionet e arritura për procesin e vetingut të Habazajt.

Vlerësimi i pasurisë:

  • Nuk rezultuan transaksione të vetë subjektit ose personave të lidhur me të, për të cilat organet përgjegjëse kishin ngritur dyshime.
  • Për sa i përket pamundësisë financiare në krijimin e një depozite prej 4.8 milionë lekë dhe kursimeve cash prej 700 mijë lekë, subjekti deklaroi se burimi i tyre ishin të ardhurat e prindërve.
  • Depozita u çel në vitin 2003, ndërkohë që subjekti ndoqi Shkollën e Magjistraturës (2007-2009) dhe u emërua prokuror në tetor 2009.
  • Në momentin e plotësimit të deklaratës së veting, subjekti ishte shkëputur nga trungu familjar për më shumë se 6 vite.
  • Sipas jurisprudencës së KPA-së, prindërit nuk konsiderohen persona të lidhur në këto kushte, prandaj nuk mbartin detyrimin ligjor për të justifikuar pasuritë e tyre.
  • Depozita konsiderohet një pasuri e krijuar herët, e provuar në sistemin bankar që në vitin 2003, periudhë kur subjekti ndiqte studimet universitare.
  • Depozituesi kryesor i llogarisë bankare ishte babai i ndjerë i subjektit, i cili ushtroi profesionin e avokatit në Vlorë nga viti 1998 deri në 2015, duke paguar detyrimet tatimore.
  • Të ardhurat nga aktiviteti i babait janë deklaruar si burim për financimin e depozitës.
  • Periudha me paqartësi për të ardhurat e babait përkon me kohën kur subjekti ishte student dhe nuk ushtronte funksione publike, duke përjashtuar mundësinë e ndikimit nga abuzimi me detyrën.
  • Problemet e konstatuara lidhur me këtë pasuri, krijuar para marrjes së detyrës dhe jashtë ndikimit të subjektit, nuk konsiderohen penalizuese.
  • Për apartamentin në përdorim, u konstatua se ishte blerë dhe ishte 100% në pronësi të nënës së subjektit, dhe prokurori nuk gëzonte të drejta reale mbi të.
  • Babai i ka lënë trashëgimi subjektit vetëm një apartament në Vlorë.
  • Problemet e gjetura në kriterin e pasurisë nuk u vlerësuan penalizuese.

Vlerësimi profesional:

  • Nuk u konstatuan probleme që mund të sjellin shkarkim në kriterin profesional.
  • Gjetjet në vetëm një procedim penal të hetuar nga subjekti, të nënshtruar rivlerësimit, u çmuan jo penalizuese.

Në përfundim, drejtuesi i SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gentian Habazaj.

Edhe prokurori Habazaj dhe përfaqësuesi i tij ligjor argumentuan se shkaqet e ngritura në ankim nuk qëndronin.

Kolegji u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet më 17 tetor.

Leave a Comment

Scroll to Top