SPAK thërret Berishën për 21 Janarin, reagimi i tij

SPAK i ka dërguar fletëthirrje për ngjarjet e 21 Janarit, Berisha: Unë kam kërkuar prokuror ndërkombëtar për ngjarjen, hetimin e ka penguar Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas marrjes së një fletëthirrjeje nga SPAK për t’u paraqitur në kuadër të hetimeve mbi ngjarjet e 21 janarit 2011. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Grupit të PD-së, Berisha theksoi se nuk e ka marrë ende fletëthirrjen zyrtare, por është i hapur për çdo hetim.

Ish-kryeministri theksoi se ka kërkuar vazhdimisht hetim të plotë për ngjarjet e 21 janarit dhe përfshirjen e prokurorëve ndërkombëtarë në proces.

“Nuk kam marrë asnjë fletëthirrje. Nuk kam asnjë problem. Unë kam kërkuar hetim, prokuror ndërkombëtar kam kërkuar për ngjarjen. Nga viti 2013, që prokuroria është në dorën e Edi Ramës, hetimin e ka penguar ai. Sali Berisha ka kërkuar prokurorë ndërkombëtarë, ka kërkuar hetim. Ka deklarata nga SHBA, kur Steinberg erdhi këtu, kërkuan hetimin nga polici te organizatori. Organizatori është identifikuar me dokumente. Jam i hapur për hetime, unë shkoj në çdo thirrje”, tha Berisha.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Sali Berishës një fletëthirrje për t’u paraqitur në lidhje me hetimet për dosjen e 21 janarit. Ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10.00 si person që ka dijeni për ngjarjen.

Më 30 tetor, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Sipas fletëthirrjes, Sali Berisha, lindur më 15.10.1944, është urdhëruar të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, lidhur me procedimin penal nr. 138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011. Urdhri i thirrjes është dërguar në adresën e banimit të tij me shkresën nr. 38725.prot, datë 03.11.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK ka regjistruar procedim penal për ngjarjen e 21 janarit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Të afërm të Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Aleks Nika ishte një nga katër viktimat e protestës së dhunshme të 21 janarit 2011, ku mbështetësit e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, u përplasën me Policinë dhe Gardën e Republikës para selisë së Kryeministrisë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës, përveç Aleks Nikës, u vranë dhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën 10 protestues të tjerë.

Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, Prokuroria procedoi penalisht ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo. Në vitin 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi Prendin me 1 vit heqje lirie dhe Llupon me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia. Vendimi kontrovers solli atëherë reagime të ashpra.

Ndërkohë, vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, si dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, kishin mbetur pa autorë dhe prokuroria e kishte pezulluar hetimin për vite me radhë në kërkim të provave.

Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pasi në nëntor 2023, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) gjeti se hetimet e mangëta të kësaj ngjarje kishin cënuar të drejtën e jetës së viktimave. GJEDNJ i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011”. Gjykata konstatoi gjithashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha, duke kërkuar që hetimet të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.

Scroll to Top