SPAK ka zbardhur detaje nga hetimet për një aferë korruptive, duke dërguar për gjykim ish-shefin e Rrugores, Roven Zeka, dhe katër punonjës të tjerë.
Ky rast korrupsioni aktiv dhe pasiv lidhet me një aksident rrugor të ndodhur në Tiranë më 16 prill 2025. Bazuar në rrethanat e faktit, ish-shefi Zeka dhe një nga të pandehurit e tjerë kanë marrë 200 mijë lekë për të mos arrestuar shtetasen që drejtonte automjetin e përfshirë në aksident.
Nga hetimet rezulton se pas aksidentit, ku u përfshinë dy mjete, drejtuesja e njërës prej tyre, Anisa Vrioni, është shoqëruar në polici dhe më pas lënë e lirë. Veprimet hetimore lidhur me rastin janë kryer nga i pandehuri Edison Tabaku, i cili kishte njohje me bashkëshortin e shtetases Vrioni, Ergestin.
I pandehuri Tabaku ka marrë nga Ergest Vrioni shumën prej 200 mijë lekësh. Në këtë veprim, Tabaku ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, të cilët gjithashtu kanë kërkuar dhe marrë paratë me qëllim mosarrestimin e Anisa Vrionit.
Gjithashtu, Bledi Belba ka ndërhyrë pranë Roven Zekës dhe i ka kaluar Ergest Vrionit 1000 euro, me qëllim që të mos arrestohej bashkëshortja e tij.