Puthja pa pëlqim konsiderohet sulm seksual në Spanjë
Në Spanjë, prekja e dikujt pa pëlqimin e tij konsiderohet sulm seksual dhe jo thjesht ngacmim në rrugë. Kështu ka vendosur Gjykata Supreme e vendit.
Vendimi i gjykatës më të lartë spanjolle mbështeti dënimin e një burri për sulm seksual pasi ai preku në mënyrë të papërshtatshme një grua në një stacion autobusi, pa miratimin e saj.
Mbrojtja e të pandehurit kërkoi që çështja të rishqyrtohej, duke propozuar uljen e akuzës në “ngacmim në rrugë”. Megjithatë, gjyqtarët theksuan se çdo kontakt fizik në kuadër të sjelljes seksuale të padëshiruar tejkalon këtë kategori. Për pasojë, autori i krimit duhet të paguajë gjobën prej 1,620 eurosh, siç ishte vendosur në shkallën e parë.
Gjykata argumentoi se nuk bëhet fjalë për një “gjest të thjeshtë që konsistonte në kapjen e dorës së saj”, pasi paditësi veproi me qëllim për të shkelur integritetin seksual të viktimës. Ai i mori dorën dhe e puthi, duke i propozuar me veprimet e tij ta shoqëronte dhe t’i ofronte para, dhe këtë e bëri dy herë.
“Prandaj, u krye një sulm seksual në kuptimin që akti përshkruan një kontakt me natyrë seksuale dhe qasje që viktima nuk kishte detyrim të toleronte, me një përmbajtje të qartë seksuale dhe një sulm ndaj viktimës duke e reduktuar atë në një objekt”, vijoi vendimi.
Gjykata konsideron se kapja e dorës së një gruaje dhe puthja e saj pa pëlqimin e saj, në një kontekst ku autori i krimit shpreh një qëllim seksual (siç është ofrimi për t’i dhënë para për ta shoqëruar), përbën një imponim të vullnetit të tij mbi lirinë seksuale të viktimës.
Spanja, e cila është në ballë të luftës kundër dhunës me bazë gjinore, miratoi një ligj pionier në Evropë kundër dhunës ndaj grave në vitin 2004.
