Die. Dhj 9th, 2018

Spiunazhi amerikan e prapaskenat diplomatike demaskojnë ndërhyrjen ruse në Maqedoni

Ivan Savidis, pronari i PAOK FC, Selanik, Greqi, i shoqëruar pasi hyri në fushë me një armë në dorë, në Mars. Foto nga Sakis Mitrolidis/Agence France-Presse — Getty Images

Për shumë vite, Ivan Savvidis ka qenë njeriu i Kremlinit në Greqi.

Nga Helene Cooper dhe Eric Schmitt, New York Times

WASHINGTON — Zoti Savidis, një miliarder greko-rus, ish anëtar i Dumës ruse dhe pronar i një ekipi profesionist futbolli në Greqi, ka lëvizur herë pas here midis botëve sportive të dy vendeve. Ai ka ndikim në çdo pjesë të jetës në Selanik, ku jeton, dhe njihet si lojtar i vjetër në botën shpesh konfliktuale midis oligarkëve rusë e grekë.

Të gjitha këto kanë bërë që spiunazhi amerikan të ketë shumë interes te ai.

Zyrtarët e SHBA-ve thonë se kanë përgjuar bisedime që tregojnë se Savidis ka qenë duke i shërbyer synimit të Rusisë për të minuar marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë, që do të hiqte veton greke për në NATO. Greqia ka kohë që e kundërshton hyrjen e Maqedonisë në NATO. Moska, e cila e sheh zgjerimin e aleancës si një kërcënim ndaj kufijve të saj, ishte e vendosur ta bënte referendumin të dështonte.

Një votues në Mortino, Maqedoni, gjatë referendumit për emrin. Foto nga Dimitar Dilkoff/Agence France-Presse — Getty Images

Si përgjigje, zyrtarët në Amerikë bënë një lëvizje agresive: përgjimet që i kishin bërë Savidisit ia dorëzuan qeverisë së majtë greke, të drejtuar nga kryeministri Cipras. Qeveria greke u përgjigj me një shkëputje nga Moska që nuk ishte parë ndonjëherë. Ata dëbuan dy diplomatë rusë nga Athina dhe ndaluan hyrjen e dy të tjerëve.

Spiunët dhe diplomatët amerikanë ishin të kënaqur. Megjithatë, vota e Maqedonisë në referendum, muajin e shkuar, nuk ishte përfundimtare. Tani duhet të vendosë parlamenti maqedonas nëse vendi do të bashkohet me NATO-n apo jo. Zyrtarët amerikanë e shohin ekspozimin e Savidisit dhe dëbimin e rusëve si fitore të rrallë, një përpjekje e mirë kundër fushatave të dezinformimit që ka drejtuar Rusia në Europë dhe në SHBA.

“Po u kundërpërgjigjemi e po tregojmë që dhe ne dimë të bëjmë lojë të ashpër”, tha Christofer R. Hill, një ish ambasador i SHBA-ve në Maqedoni. “Mund të përgjigjemi e mund të bëjmë gjëra që më parë nuk donim t’i bënim.”

Ivan Savidis, pronari i PAOK FC, Selanik, Greqi, i shoqëruar pasi hyri në fushë me një armë në dorë, në Mars. Foto nga Sakis Mitrolidis/Agence France-Presse — Getty Images

Dhe këto manovrime të fshehta u zhvilluan teksa presidenti Trump po udhëtonte në Europë, këtë verë, duke u përqafuar në publik me presidentin rus, Vladimir Putin, e duke ulur kështu aleancën e NATO-s. Një tjetër shembull që tregon se institucionet e sigurisë kombëtare, tashmë me një karrierë të gjatë, punojnë për qëllime të kundërta me presidencën. Por historia me Maqedoninë nis që përpara.

Kundërpërgjigjja

Në verën e vitit 2016, kur zyrtarët amerikanë të Sigurisë Kombëtare panë shenjat e para se Rusia do të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale, Departamentet e Shtetit dhe të Mbrojtjes, në bashkëpunim të fortë me agjencitë e shërbimit sekret amerikan, formuan atë që quhet sot “Grupi i Ndikimit Rus”, një përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve ruse kryesisht në Europë. Kjo përfshinte vëzhgimin në zgjedhjet evropiane, ku mund të ndërhynte Rusia.

Këtë pranverë ata panë se Maqedonia ishte një shënjestër e mundshme. Më 12 qershor, zyrtarët maqedonas e grekë njoftuan se vendi do ta ndërronte emrin në Maqedoni e Veriut, për t’i dhënë fund kështu një ngërçi 30-vjeçar. Greqia e kundërshtonte emrin “Maqedoni”, pasi e shihte si pretendim territorial për krahinën greke me të njëjtin emër.

Pasi të quhej Maqedonia e Veriut, Greqia do t’i hiqte vendit fqinj veton për anëtarësimin në NATO. Për pranimin e emrit ishte caktuar një votim zyrtar në shtator të këtij vitit.

Moska nuk ishte aspak e kënaqur. Në një konferencë shtypi, në Athinë, tre ditë para marrëveshjes, një diplomat i lartë rus i dha paralajmërim Perëndimit për ftesën që i bënë Maqedonisë në aleancë.

Trump foli te samiti i NATO-s në Bruksel, Qershor 2018. Foto nga: Doug Mills/The New York Times

“Sigurisht që nuk do të hedhim bomba bërthamore”, tha Vladimir A. Chizhov, ambasadori rus në BE. “Por disa gabime janë me pasoja të rënda.”

Kërcënimi i Chizhov-it bëri që ambasadori amerikan në Greqi, Geoffrey R. Pyatt, të dërgonte një sërë mesazhesh diplomatike në Uashington, ku paralajmëronte se Moska do të përpiqej të ndërhynte me referendumin. Departamenti i Shtetit, CIA dhe baza europiane e Pentagonit në Shtutgart, Gjermani, ishin njoftuar edhe më përpara për rastin.

Ndërkohë, në Maqedoni kishte nisur të kundërshtohej hapur referendumi. Në verë u krijuan me qindra faqe të reja interneti që bënin thirrje për të bojkotuar votimin, si dhe postime në Facebook që u kërkonin maqedonasve të digjnin fletët e votimit. “Një rast klasik dezinformimi,” thanë zyrtarët nga Maqedonia dhe SHBA, “i drejtuar nga grupet ruse.”

Ditën që u bë marrëveshja, jashtë parlamentit maqedonas, në Shkup, pati protesta të dhunshme.

Këtu futet në skenë zoti Savidis.

Ai ka qenë nën radarin e agjencive greke dhe amerikane për vite me radhë, si anëtar i partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar”. Ai e bëri pasurinë nëpërmjet një kompanie ruse duhani që kishte interesa të ngushta në Greqinë e veriut.

Një qendër votimi në Zajas, Maqedoni, gjatë referendumit.  Foto nga: Armend Nimani/Agence France-Presse — Getty Images

Si pronar i ekipit të futbollit PAOK FC, në Selanik, ai mbahet mend për hyrjen e papritur në fushë me armë në dorë, i rrethuar nga truproja. Lojtarët e ekipit kundërshtar, nga Athina, dolën nga fusha të shqetësuar për jetën e tyre dhe ndeshja u anulua.

Në qershor, zyrtarët amerikanë zbuluan nga përgjimet e e-mail-eve, SMS-ve dhe telefonatave se ai kishte paguar protestues.

Një zyrtar i lartë Amerikan tha se agjencitë amerikane kishin pasur mundësinë të mblidhnin të dhëna financiare që tregonin se Savidis kishte paguar qytetarë dhe tifozë futbolli për të shkaktuar dhunë kundër referendumit në Maqedoni.

Sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një organizatë gazetarie investigative, Savidis u ka dhënë rreth  300,000 dollarë forcave që kundërshtonin ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Mes atyre që kanë marrë para janë politikanë maqedonas, organizata nacionaliste të krijuara kohët e fundit dhe huliganë të klubit të futbollit Vardar, të cilët krijuan një protestë të dhunshme para parlamentit të Shkupit, sipas raportimit.

Kryeministri Cipras në Greqi. Qeveria e tij njoftoi se do të dëbonte dy diplomatë rusë për ndërhyrje me referendumin e Maqedonisë. Foto nga: Angelos Tzortzinis/Agence France-Presse — Getty Images

Savidis i mohoi akuzat me forcë: “Shpifje totalisht të sajuara”, tha kompania e tij në një deklaratë për shtyp.

Dorëzimi i raportit amerikan

Dorëzimin e raportimit amerikan te qeveria greke e bëri zoti Pyatt, një diplomat amerikan me përvojë, i cili ka qenë ambasador i Uashingtonit në Athinë për dy vjet. Pyatt ishte i përgatitur mirë për këtë rol, pasi kishte shërbyer si ambasador i SHBA-ve në Ukrainë nga viti 2013 në 2016, kur Rusia hyri në Krime dhe mbështeti forcat separatiste në Ukrainën lindore.

“Pyatt njeh çdo numër që mund të bëjnë rusët”, thotë senatori Christopher S. Murphy, një Demokrat nga Kontektikati dhe anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.

Mërfi tha se kishte folur me zotin Pyatt  për ndërhyrjet e Rusisë në referendumin e Maqedonisë, por refuzonte të komentonte detajet e bisedave private.

Por tjetër gjë ishte t’i jepje informacion ministrit grek. Ta bësh të veprojë, nuk është aspak diçka e sigurt.

Kryeministri Cipras, i cili deri në atë kohë nuk kishte ndjekur europianët e tjerë e të mbështeste akuzat britanike kundër Rusisë për helmimin e ish-spiunit, vinte nga një parti politike që ka pasur historikisht lidhje të mira me Moskën. Megjithatë, vendimi për të vepruar kundër Moskës u lehtësua edhe nga përpjekjet e zotit Cipras për të ndrequr marrëdhëniet me Maqedoninë, të cilën Rusia po ia prishte.

Zyrtarët thanë se për këtë ka ndihmuar edhe diplomacia e mëparshme amerikane. Qeveria Obama e përkrahu Greqinë gjatë krizës financiare, duke i shtyrë të qëndronin në Eurozonë, ndërkohë që vende të tjera europiane mbështesnin largimin e Greqisë. Jacob J. Lew, Sekretari i Thesarit për presidentin Obama, u mor aq shumë me çështjen e borxhit të Greqisë, sa zyrtarët thoshin me shaka që ishte bërë sekretar i thesarit të Greqisë. Obama dhe Lew udhëtuan në Athinë gjatë krizës, ashtu si dhe zëvendës presidenti Joseph R. Biden Jr, i cili u kthye sërish në Greqi pasi la mandatin, vitin e shkuar.

Trump e priti Ciprasin në Shtëpinë e Bardhë këtë tetor, dhe të dy diskutuan shtimin e pranisë ushtarake të Amerikës në Greqi, që përfshin vendosjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë.

“Nëse sheh gjeografinë dhe operacionet e fundit në Libi e Siri, operacionet e tjera në Mesdheun lindor dhe gjeografinë e Greqisë, mundësitë që ofrohen këtu janë shumë domethënëse”, tha gjenerali Jozef Dundrof, kryetar i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, gjatë një vizite të bërë kohët e fundit në Athinë.

Zyrtarët e institucioneve amerikane të sigurisë janë përpjekur ta largojnë Athinën nga lidhja e afërt me Moskën. “Po e kultivojmë Greqinë si një pikë referimi për stabilitet në Mesdheun lindor dhe në Ballkanin Perëndimor”, tha Wess MItchell, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet me Europën dhe Euroazinë.

Përplasjet diplomatike

Më 11 korrik, Cipras u nda nga Moska. Qeveria e tij dëboi dy diplomatë dhe u ndaloi hyrjen në Greqi dy rusëve të tjerë, pasi i akuzoi se janë përpjekur t’u japin ryshfet zyrtarëve të ndryshëm dhe të paguajnë protesta kundër marrëveshjes me Maqedoninë.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, majtas, me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, muajin e shkuar në Shkup.

“Këto fyerje ndaj Greqisë duhet të ndalojnë”, tha Ministri i Jashtëm Grek në një deklaratë për shtyp. “Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Greqisë.”

Moska tha pak më vonë se do të dëbonte diplomatë grekë si kundërpërgjigje.

Pak pasi Athina dëboi rusët, ambasadori amerikan nxitoi t’ua dërgonte lajmin kolegëve dhe ish-kolegëve në Departamentin e Shtetit e në Pentagon me një mesazh triumfues.

Heather Nauert, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, pas njoftimit shkroi në Twitter: “Greqia dëboi dy zyrtarë rusë dhe u ndaloi hyrjen dy të tjerëve pasi ishin përpjekur të ndërhynin me politikën greke. Ne e mbështesim Greqinë në mbrojtjen e sovranitetit të saj. Rusia duhet t’i ndalojë sjelljet destabilizuese.

Roli i SHBA-ve në dëbimin e diplomatëve tregon se çfarë hendeku i madh është krijuar midis institucioneve të sigurisë kombëtare në Amerikë  dhe Trump-it, i cili vuri në dyshim edhe rolin e NATO-s, teksa shfaqte admirim të thellë për Putinin. Këto institucione e kanë tashmë të rrënjosur besimin se përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë me zgjedhjet në SHBA dhe në vendet e tjera aleate mbeten një kërcënim i madh gjeopolitik për vendin e tyre.

Ky është një mendim që Trump e ka shprehur shumë rrallë. Por është një mendim që përsëritet shpesh nga shumë zyrtarë të sigurisë amerikane.

“Shkeljet e Rusisë, që nga Maqedonia e deri në SHBA”, tha për gazetarët Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, më 11 shtator, para referendumit të 30 shtatorit, “nuk është aspak për t’u anashkaluar, për sa më përket mua”.

Kur u pyet nëse SHBA-të po bënin gjë kundër përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në referendum, Mattis tha “Po”. Ai refuzoi të futet në detaje, por zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes thanë se edhe ata kishin ndërmarrë masa për të zbuluar informacion, në bashkëpunim me qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, për t’iu kundërvënë kështu dezinformimit rus në zgjedhjet dhe në referendumet që do të zhvillohen atje.

Por përpjekjet e amerikanëve në prapaskenë nuk do të kenë dobi nëse parlamenti maqedonas nuk pranon të ndryshojë emrin. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, u ka dërguar një mesazh deputetëve këtë javë dhe u ka thënë që nëse masa dështon, ai do të shpallë zgjedhje të parakohshme.

InfoPasqyra/tch

Kategori