Strategji qumështi e thertoreve deri 2026

Gjylameti: Deri në fund të vitit 2026 do zbatohet strategji për qumështin, fokus edhe thertoret

Gjatë një konference të organizuar me operatorët e industrisë ushqimore, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, foli për disa nga sfidat kryesore sa i përket sigurisë ushqimore.

Lidhur me reformën në sigurinë ushqimore, Blerina Gjylameti theksoi se Kapitulli 12 i legjislacionit të BE-së paraqet sfida konkrete. “Sfida e parë është rritja e standardeve të subjekteve ushqimore. Çdo subjekt që nuk arrin të përmbushë kërkesat e Bashkimit Europian, rrezikon të mbetet jashtë tregut në momentin e anëtarësimit,” u shpreh ajo. Gjylameti sqaroi se qasja e AKU-së është e balancuar dhe e përgjegjshme, duke përfshirë mbështetje financiare të targetuar, afate të qarta për përmirësime dhe bashkëpunim të ngushtë me biznesin. “Qëllimi është i qartë: ky tranzicion të mos jetë barrë, por mundësi zhvillimi,” nënvizoi ajo.

Gjylameti u ndal gjithashtu te sfidat kryesore që lidhen me sektorin e qumështit dhe funksionimin e thertoreve sipas standardeve europiane.

“Një tjetër element kritik është menaxhimi i nënprodukteve me origjinë shtazore dhe funksionimi i thertoreve sipas standardeve europiane. Në këtë drejtim, po konsolidojmë kuadrin ligjor, po vendosim klasifikim të qartë sipas riskut dhe po mbështesim investimet në infrastrukturë të dedikuar. Kjo garanton gjurmueshmëri të plotë dhe eliminon çdo rrezik për kontaminim.”

Ajo shtoi se sektori i qumështit mbetet një nga sfidat më komplekse për shkak të fragmentimit të fermave. “Për këtë arsye, deri në fund të vitit 2026 do të zbatojmë një strategji të dedikuar që synon rritjen graduale të cilësisë, mbështetjen e fermerëve dhe përpunuesve, si dhe përmirësimin e zinxhirit të grumbullimit dhe transportit. Kjo është një qasje realiste, por e vendosur drejt standardit europian.”

Në të njëjtën kohë, sipas Gjylametit, një shtyllë themelore e reformës është forcimi i kapaciteteve infrastrukturore dhe laboratorike. Përmes projektit CRAD të Bankës Botërore, po rindërtohen 4 laboratorë, po pajisen 3 të tjerë me teknologji bashkëkohore dhe po investohet në pikat e inspektimit kufitar. “Kjo do të rrisë ndjeshëm saktësinë e analizave, shpejtësinë e kontrolleve dhe besueshmërinë e sistemit,” deklaroi ajo.

Sipas saj, hartimi i Planit Kombëtar për Përmirësimin e Standardeve do të jetë udhërrëfyesi kryesor për këtë transformim. “Ky plan përcakton prioritetet sipas sektorëve, orienton investimet, vendos afate të matshme dhe siguron një tranzicion të strukturuar drejt standardeve të BE-së,” përfundoi ajo.

Scroll to Top