Qeveria synon t’i kushtojë vëmendje më të shtuar fenomenit të pastrimit të parave, duke e përfshirë këtë çështje në Strategjinë Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026-2030, e cila është nxjerrë për konsultim publik.
Dokumenti pranon ekzistencën e problemit dhe thekson se globalizimi dhe teknologjia, megjithëse kanë përshpejtuar transaksionet ndërkufitare dhe kanë krijuar mundësi zhvillimi, kanë sjellë gjithashtu një kërcënim në rritje nga transaksionet financiare ilegale dhe krimet financiare me to.
Këto aktivitete përfshijnë një gamë të gjerë veprash penale, si pastrimi i parave, evazioni fiskal, korrupsioni, trafiku i drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore, të cilat u mundësojnë organizatave kriminale dhe terroriste të financojnë operacionet e tyre.
Strategjia evidentonFormat e rrezikut të pastrimit të parave të identifikuara në Shqipëri, të cilat kategorizohen si vijon:
- Pastrimi i fondeve nga vepra të ndryshme penale të kryera jashtë vendit (trafik droge, krim i organizuar, vjedhje pasurie) përmes sistemit financiar formal, transportit ndërkufitar të parave në cash dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
- Pastrimi i fondeve nga mashtrimet (përfshirë ato kompjuterike dhe platforma investuese jo-licencuara), të kryera brenda ose jashtë Shqipërisë, përmes sistemit financiar, me pasojë transferimin e fondeve në juridiksione të tjera ose tërheqjen në cash.
- Pastrimi i fondeve nga krimet tatimore (fshehje e të ardhurave dhe mashtrimi i TVSH-së) duke përdorur persona juridikë rezidentë, mosdeklarimin e të ardhurave reale, regjistrimin e shoqërive fiktive, përdorimin e sistemit financiar formal dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
- Pastrimi i të ardhurave nga korrupsioni duke përdorur persona të tretë (fizikë dhe juridikë) për të kamufluar burimin, integrimin më pas në instrumente financiare, pasuri të paluajtshme brenda vendit ose biznese.
- Pastrimi i parave duke përdorur persona juridikë rezidentë (kryesisht shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) ose persona të tretë individualë, brenda ose jashtë rrethit të ngushtë të personit që gjeneron të ardhurat kriminale.
