Tronditëse në Kaliforni: Gjenden mbetjet e 117 qenve në një strehimore, 70 dyshohet se u vranë me armë zjarri
Autoritetet në Kaliforninë Veriore kanë zbuluar mbetjet e 117 qenve gjatë një kontrolli në një strehimore kafshësh. Ky veprim vjen në kuadër të një hetimi për dyshime mbi abuzim sistematik, neglizhencë dhe mashtrim.
Hetimi ndaj strehimores “Miranda’s Rescue”, e vendosur në qytetin e Fortuna-s, ka nisur më 22 prill. Shkak për këtë ka qenë marrja e informacioneve nga Zyra e Sherifit të Qarkut Humboldt, të cilat ngritën dyshime për keqtrajtim të rëndë të kafshëve, mashtrim dhe komplot.
Gjatë kontrolleve, hetuesit zbuluan dy varre të ndara, nga të cilat u nxorën mbetjet e paprekura të 117 qenve. Sipas rezultateve paraprake të analizave mjeko-ligjore, 70 prej qenve të ekzaminuar deri tani dyshohet se kanë ngordhur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga armët e zjarrit. Ky fakt ka shtuar dyshimet për abuzim sistematik ndaj kafshëve.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes së të gjitha kafshëve dhe për të identifikuar personat përgjegjës, ndaj të cilëve mund të ngrihen akuza penale.
Ky rast ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara dhe ka rikthyer në qendër të debatit nevojën për kontrolle më të rrepta dhe mbikëqyrje më efektive të strehimoreve të kafshëve.
