Hën. Dhj 17th, 2018

Studentët vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit

TIRANË, 8 dhjetor. Studentët vijojnë sot ditën e katërt të protestës, në kërkim plotësimit të kërkesave të tyre për uljen e tarifave universitare.

Studentë nga Universiteti i Tiranës, Politekniku, dhe nga Universiteti i Sporteve janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke kërkuar përgjysmim të tarifave të shkollimit, rritje të buxhetit për universitetet dhe kushte më të mira në konvikte.

Ndërkohë, studentët nuk kanë pranuar që atyre t’u bashkohen në protestë banorët e “Astirit”, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Studentët e konsideruan protestën e banorëve politike, ndërkohë që këta të fundit u shprehën se janë aty kundër padrejtësive.

Protesta e studentëve nisi me kërkesën kundër tarifës për provimet e prapambetura, ndërkohë që në përgjigje të kësaj kërkese Këshilli i Ministrave miratoi në 6 dhjetor shfuqizimin e pikës 4 të vendimit mbi “Miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët”. Vendimi për shfuqizimin e pikës 4 të kësaj VKM-je u mor pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Por, studentët vendosën vijimin e protestave deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Kryeministri Edi Rama u shpreh dje i gatshëm të takohet me studentët protestues për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur ata në adresimin e shqetësimeve të tyre./m.m/j.p/

Kategori