Sulm ajror amerikan në Bagdad, vret anëtar të forcave paraushtarake

Sulm ajror amerikan në Bagdad, vritet një anëtar i forcave paraushtarake të lidhura me Iranin

Një anëtar i organizatës Hashd al-Shaabi, e njohur si “Njësitë Popullore të Mobilizimit”, humbi jetën në agim pas një sulmi ajror amerikan që goditi automjetin e tij në lindje të Bagdadit, Irak. Këtë e raportoi agjencia Agence France-Presse, duke cituar burime të sigurisë.

Sipas një oficeri të forcave irakiane të sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, sulmi ajror kishte në shënjestër automjetin e një anëtari të Hashd-it. Kjo aleancë e grupeve paraushtarake, e afërt me Iranin, është integruar zyrtarisht në strukturat e ushtrisë irakiane.

Një ish-zyrtar paraushtarak i tha AFP-së se viktima ishte pjesë e Kataib Hezbollah, një organizatë e fuqishme paraushtarake në Irak, e cila konsiderohet e lidhur ngushtë me Teheranin.

Detaje të tjera rreth identitetit të viktimës apo rrethanave të sakta të sulmit nuk janë bërë ende publike.

Ngjarja ndodh në një periudhë me tensione të larta në rajon, me përplasje të vazhdueshme mes forcave të mbështetura nga Irani dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Scroll to Top