Katër autoambulanca të komunitetit hebre digjen në Londër; Starmer i cilëson si sulm antisemit tronditës me zjarrvënie.
Katër ambulanca të komunitetit hebre janë djegur qëllimisht në veri të Londrës të hënën. Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka cilësuar këto akte si “një sulm tronditës antisemit me zjarrvënie”.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës njoftoi se disa cilindra të vendosur në automjete shpërthyen, duke thyer dritaret e ndërtesave përreth. Nuk u raportuan të lënduar dhe deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim.
Faqja e inteligjencës SITE raportoi se një grup militant shumëkombësh, i lidhur me Iranin, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi pranë një sinagoge në Golders Green. Sipas SITE, ky grup dyshohet të ketë qenë përgjegjës edhe për zjarre të ngjashme në Liège të Belgjikës, si dhe në Roterdam dhe Amsterdam të Holandës.
Ligjvënësit britanikë dhe agjencia e inteligjencës së brendshme, MI5, kanë shprehur shqetësime lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani, duke përfshirë mundësinë e mbikëqyrjes ose shënjestrimit të objekteve hebreje. Teherani ka mohuar këto akuza.
Ambasada izraelite në Londër, e cila prej kohësh ka kritikuar Britaninë për mosveprim ndaj antisemitizmit, deklaroi se këto sulme me zjarrvënie vijnë pas vite të marshimeve “të mbushura me urrejtje” në mbështetje të palestinezëve, si dhe pas akteve të nxitjes dhe frikësimit.
“Mjaft është mjaft,” theksoi ambasada në rrjetin X, duke kërkuar “veprim vendimtar për t’i dhënë fund kësaj klime frikësimi para se të përshkallëzohet më tej. Heshtja dhe mosveprimi nuk janë më opsion.”
Pamjet e kamerave të sigurisë treguan tre burra me xhaketa me kapuç duke iu afruar ambulancave pak para se ato të përfshiheshin nga flakët. Policia deklaroi se zjarret po trajtohen si krime urrejtjeje antisemitike, jo si incident terrorist. Megjithatë, hetimi do të drejtohet nga oficerë kundër terrorizmit me ekspertizë të specializuar. Autoritetet shtuan se nuk mund të konfirmojnë vërtetësinë e pretendimit të publikuar online nga grupi i lidhur me Iranin.
Prokurorët holandezë kanë bërë të ditur se pretendimet e këtij grupi janë pjesë e hetimeve për sulmet ndaj një shkolle hebreje në Amsterdam dhe një sinagoge në Roterdam, por nuk ofruan detaje të mëtejshme.
