Izraeli dhe SHBA ndërmarrin sulm të koordinuar ndaj Iranit; Reuters raporton zhvendosjen e Khameneit nga Teherani
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme të përshkruara si parandaluese kundër Iranit këtë mëngjes. Shpërthime të fuqishme janë raportuar në Teheran, ndërsa Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin.
Sipas informacioneve nga mediat ndërkombëtare, shpërthime janë dëgjuar në disa zona të kryeqytetit iranian. Agjencia Reuters, duke cituar një zyrtar iranian, raporton se Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, nuk ndodhet në Teheran dhe është zhvendosur në një vend të sigurt.
Më herët, Associated Press njoftoi se një nga sulmet në kryeqytet ka ndodhur pranë zyrave të Khameneit.
Në momentin e fillimit të këtij operacioni të papritur, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u kanë dërguar njoftime urgjente qytetarëve, duke i udhëzuar të qëndrojnë pranë zonave të mbrojtura dhe strehimoreve për shkak të rrezikut të mundshëm të një kundërpërgjigjeje.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë në rajon.
