Sulm Izraelit/SHBA në Iran: Netanyahu paralajmëron armët bërthamore

Izraeli kryen sulm të koordinuar me SHBA në Teheran, Netanyahu: Regjimi iranian nuk duhet të pajiset me armë bërthamore

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë një deklaratë të fortë pas sulmeve që ushtria e tij nisi drejt Teheranit, duke theksuar se regjimi iranian nuk duhet të ketë armë bërthamore.

“Vëllezërit dhe motrat e mia, qytetarë të Izraelit, pak kohë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një operacion për të eliminuar kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist në Iran,” tha ai.

Netanyahu falënderoi Presidentin Donald Trump për “lidershipin e tij historik” dhe theksoi se për 47 vjet regjimi i Ajatollahëve ka bërë thirrje “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”. Ai akuzoi regjimin për vrasje dhe masakra ndaj popullit të vet dhe paralajmëroi se ky regjim, nëse do të dispononte armë bërthamore, do të kërcënonte të gjithë njerëzimin.

“Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta,” shtoi ai. Ai u bëri thirrje të gjitha segmenteve të shoqërisë iraniane – persianëve, kurdëve, azerëve, balukëve dhe ahvazëve – të hedhin poshtë tiraninë dhe të ndërtojnë një Iran të lirë dhe paqësor.

Netanyahu gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë durim e guxim gjatë operacionit “Vrumbullima e Luanit”.

“Së bashku do të qëndrojmë, së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit,” përfundoi ai.

Scroll to Top