Sulm me armë tek Shtëpia e Bardhë; Autori neutralizuar

Sulmi me armë gjatë darkës së Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump reagon: Autori u neutralizua nga Shërbimi Sekret

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë detaje të reja lidhur me incidentin me të shtëna që ndodhi gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar si një sulm ndaj një eventi të rëndësishëm për lirinë e fjalës.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të sigurisë, Trump deklaroi se një person i armatosur kishte tentuar të kalonte një pikë kontrolli sigurie, duke mbajtur me vete disa armë.

Sipas tij, autori u neutralizua nga agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së, të cilët ai i përshkroi si “shumë të guximshëm”. Gjatë ndërhyrjes, një agjent mbeti i plagosur, por arriti të shpëtonte falë jelekut antiplumb.

“Një burrë i armatosur me disa armë u përpoq të kalonte kontrollin e sigurisë. Ai u neutralizua nga anëtarë shumë të guximshëm të Shërbimit Sekret”, u shpreh Trump, duke shtuar se i dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim.

Presidenti e përshkroi autorin si “një person shumë të sëmurë”, duke theksuar se ai kishte avancuar me shpejtësi nga rreth 50 metra distancë përpara se forcat e sigurisë të ndërhynin.

Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe në Kaliforni, ku autoritetet kanë shkuar në banesën e të dyshuarit për të mbledhur prova shtesë. Trump konfirmoi gjithashtu se ai vetë nuk ka pësuar lëndime, ndërsa njoftoi se eventi do të riplanifikohet në një datë tjetër. Ai shtoi se përvoja ishte traumatike për Zonjën e Parë, Melania Trump.

Scroll to Top