Sulm në Aeroportin Heathrow të Londrës, arrestohet një person
Aeroporti i Heathrow u trondit mëngjesin e sotëm nga një sulm, i cili dyshohet se u krye me sprej me piper. Një person është arrestuar nën dyshimin për sulm, sipas Policisë Metropolitane. Ky i fundit ka shtuar se ngjarja nuk është sulm terrorist dhe as nuk lidhet me protesta.
Disa persona dyshohet se janë prekur nga sulmi dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por numri i saktë i të prekurve nuk dihet ende.
Oficerët e policisë u thirrën në vendngjarje rreth orës 08:11 të mëngjesit të sotëm, pas raportimeve se disa persona ishin sulmuar.
Aeroporti ka njoftuar se ekipet e tij po bashkëpunojnë me shërbimet e emergjencës pas një incidenti në parkingun shumëkatësh të Terminalit 3. Hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe policia po kërkon të identifikojë dhe arrestojë të dyshuar të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Sipas National Rail, pritet të ketë ndërprerje dhe vonesa deri në 10 minuta në Linjën Elizabeth si pasojë e incidentit. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të minimizojnë ndikimet në transportin publik.
