Sulm ndaj gazetarit: dyshime edhe për mafian shqiptare

Sulmi ndaj gazetarit të RAI3: Dyshime edhe për mafian shqiptare

Hetuesit po shqyrtojnë 4-5 pista kryesore dhe po analizojnë të gjitha kërcënimet e bëra ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci.

Atentati me 1 kg lëndë eksplozive, i cili shkatërroi makinat e gazetarit të RAI3 Sigfrido Ranucci dhe vajzës së tij para banesës së tyre në Romë, ka tronditur opinionin publik italian.

Kjo ngjarje ka rikthyer në vëmendje atentatet mafioze të viteve ’90 në Itali. Zbardhja e ngjarjes është marrë përsipër nga anti-mafia.

Ranucci jeton nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 2020, pas një atentati të dështuar ndaj tij. Në atë rast, autori, një i ri shqiptar, bëri aksident me motor para banesës së tij. Gazetari doli dhe i shpëtoi jetën, por më vonë shqiptari, i identifikuar vetëm me emrin Ardian, rrëfeu se ishte paguar për të vrarë gazetarin.

Mediat italiane raportojnë se hetuesit besojnë se pas sulmit ndaj Ranucci qëndrojnë disa persona. Ata e kanë ndjekur atë, ndoshta për ditë të tëra. Më pas, ata mund të jenë fshehur mes pemëve para shtëpisë së tij në lagjen Pomezia të Romës, duke pritur që eskorta e policisë të largohej, përpara se të ndiznin manualisht fitilin e lëndës eksplozive, që shpërtheu mes dy vazove të luleve jashtë shtëpisë.

Hetimet i ka në dorë anti-mafia. Hetuesit janë në kërkim të një personi me kapuç, të identifikuar nga një dëshmitar, i cili u largua pak para shpërthimit. Dëshmitari ka identifikuar edhe një makinë me të cilën ai hipi.

Në analizë po kalojnë pamjet e kamerave të sigurisë, edhe pse më e afërt është më shumë se 50 metra larg shtëpisë. Dyshohet se autorët e krimit e dinin vendndodhjen e prezantuesit të emisionit “Report”, i cili ishte kthyer në Itali të enjten pas disa ditësh larg.

Bomba ishte e ndërtuar në mënyrë artizanale, por mjaft e fuqishme, pa kohëmatës apo telekomandë. Shpërthimi i 1 kg eksploziv shkatërroi dy makinat e Ranucci në orën 22:17, vetëm 20 minuta pasi vajza e tij u kthye në shtëpi.

“Mund ta kishin vrarë atë”, – tha gazetari i përlotur. Një akt potencialisht vdekjeprurës frikësimi, i planifikuar ndoshta prej kohësh.

Drejtoria Antimafia e Romës, e cila po heton rastin, ka në shqyrtim 4-5 pista. Në krye të hetimeve janë temat “e nxehta” që ai ka ndjekur me emisionin e tij mbi krimin e organizuar, skajet ekstreme të ultrasve të futbollit dhe klanet mafioze.

“Në episodet e ardhshme, do të kthehemi te tema e masakrave mafioze dhe infiltrimit të këtyre klaneve në marrjen e tenderave publikë”, – tha ai pasi doli nga zyra e prokurorisë të premten.

“Bomba mund të jetë një paralajmërim për disa investigime gazetareske që po kryejmë”, – tha gazetari.

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se edhe mundësia e një sulmi të porositur nuk është përjashtuar.

Njësia Hetimore ka sekuestruar dy makinat e dëmtuara dhe po punon për gjetjen e gjurmëve nga pjesët e bombës, të cilat mund të përmbajnë shenja të autorëve.

Sipas të njëjtave burime, pajisja është e ngjashme me ato të përdorura në disa incidente të fundit të kryera nga komuniteti kriminal në Romë. Për këtë arsye, hetuesit po përqendrohen në lidhjen mes qarqeve të ekstremit të djathtë, grupeve ekstremiste ultrase dhe kriminelëve vendas.

Ndërtimet në bregdet kanë qenë gjithashtu objekt hetimesh nga emisioni “Report” i RAI3.

Hetuesit po analizojnë edhe kërcënimet që gazetari ka marrë në të kaluarën, duke përfshirë plumbat që gjeti një vit më parë para shtëpisë. Në analizë po kalojnë edhe letrat kërcënuese që i janë dërguar.

Sipas “Il Fatto Quotidiano”, i penduari i “Ndrangheta”, Luigi Bonaventura, rrëfeu se kishte dëgjuar në burg se “Ranucci është një njeri i shënjuar”.

Nën hetim edhe mafia shqiptare

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se nën hetim janë edhe qarqet kriminale shqiptare.

Në vitin 2024, programi “Report” denoncoi marrëveshjet për trajtimin e emigrantëve në Shqipëri, të cilat shpesh lidhen me ultrasit.

Ndërkohë, hetuesit i janë rikthyer edhe ekzekutimit të shqiptarit Selavdi Shehaj, me nofkën “Passerotto”, i vrarë në plazhin e Torvajanicës më 20 shtator 2020. Ai kishte një nga bazat e tij operative jo shumë larg shtëpisë së Sigfrido Ranucci. Dy anëtarë të mafias së Romës u dënuan me burgim të përjetshëm për këtë vrasje. Njëri prej tyre është i njohur edhe për lidhje me Camorra.

Motivi i vrasjes ishte kontrolli i trafikut të drogës dhe larja e hesapeve mbi konfliktet e vjetra në një territor të kontestuar prej kohësh nga shumë interesa dhe të ndarë mes klaneve vendase, degëve të organizatave të mëdha kriminale, familjeve historike dhe grupeve kriminale shqiptare.

Megjithëse ky episod duket i largët sot, vrasja e shqiptarit, të cilën anti-mafia e Romës e lidh ngushtë me atë të bosit të drogës Fabrizio Piscitelli një vit më parë, zbulon shumë rreth interesave kriminale që shqetësojnë atë pjesë të bregdetit.

Prokurorët e kanë cilësuar ngjarjen më shumë si një frikësim sesa një atentat të dështuar.

Corriere shkruan se është shumë herët për të thënë nëse sulmi ndaj Ranucci është i lidhur me të gjitha këto, por ai vetë tha se ishin “4 ose 5 pista brenda të njëjtit kontekst”. Dhe është brenda këtij konteksti kriminal që botët e ndryshme kriminale të pasqyruara edhe në emisionin “Report” i RAI3 ndërthuren.

E vetmja siguri deri më tani është se kjo nuk ishte vazhdim i kërcënimeve të vjetra, por një përpjekje e re për frikësim.

Scroll to Top