Sulm ndaj gazetarit italian, makinë shpërthehet për investigim
Makina e Sigfrido Ranucci-t, gazetar dhe prezantues i njohur i Rai 3, u shpërthye nga dy pajisje eksplozive të vendosura nën automjet. Ngjarja ndodhi në Campo Ascolano, pranë Romës, dhe shpërthimet ishin aq të forta sa tronditën të gjithë lagjen.
Programi televiziv ‘Report’, ku punon Ranucci, ka njoftuar se shpërthimi i pajisjes eksplozive, e cila ishte vendosur nën makinën e gazetarit, kishte potencialin për të shkaktuar viktima. Si pasojë e shpërthimit, u dëmtuan edhe një makinë tjetër e familjes dhe një shtëpi fqinje. Autoritetet, përfshirë karabinierët, zjarrfikësit dhe hetuesit mjeko-ligjorë, kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa zyra e prokurorisë ka nisur hetimet.
Ministri Guido Crosetto e ka cilësuar ngjarjen si “një akt shumë serioz, frikacak dhe të papranueshëm”, duke theksuar se sulmi nuk prek vetëm një gazetar, por edhe lirinë e informacionit dhe të shprehurit. Ai shprehu solidaritetin e tij të plotë me Ranucci dhe familjen e tij.
Prokurorët e Antimafias në Romë po drejtojnë hetimet për eksplozivin e improvizuar që shkatërroi automjetet e gazetarit dhe vajzës së tij. Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi fuqishëm aktin e frikësimit dhe rikonfirmoi angazhimin për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së informacionit.
Ky incident vjen pas investigimeve të emisionit ‘Report’ të Ranucci-t, duke përfshirë marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe rastin ‘Ahmetaj’.