Sulm rus me dronë në Kiev: 3 viktima, 29 të plagosur (6 fëmijë)

Rusia kryen sulm me dronë në Ukrainë: tre viktima dhe 29 të plagosur, mes tyre edhe 6 fëmijë

Tre persona humbën jetën dhe 29 të tjerë u plagosën, përfshirë gjashtë fëmijë, si pasojë e një sulmi rus në lagjen Desna të kryeqytetit ukrainas. Ky lajm u bë i ditur nga kryetari i bashkisë Vitali Klitsko, përmes platformës Telegram.

Sipas Klitskos, shtatë nga të plagosurit, dy prej të cilëve fëmijë, janë shtruar në spital për mjekim.

Autoritetet lokale raportuan se mbeturinat e disa dronëve të rrëzuar ranë mbi katin e dytë të një ndërtese banimi, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarr, i cili më pas u përhap në katet e sipërme të pallatit.

Ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje dhe arritën të izolonin zjarrin pas disa orësh. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë për t’u siguruar se nuk ka persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.

Ky sulm është ndër më të fundit ndaj kryeqytetit ukrainas, në kuadër të ofensivës ajrore që Rusia ka intensifikuar javët e fundit, duke targetuar infrastrukturën civile të Ukrainës.

Scroll to Top