Izraeli kryen sulme ajrore në Liban, në shënjestër objektivat e lidhur me Hezbollahun
Më 8 nëntor, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Izraeli njoftoi se një nga sulmet goditi trafikantë armësh të një grupi të lidhur me Hezbollahun. Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se dy vëllezër nga qyteza Sheba u goditën nga sulmet teksa udhëtonin në një rrugë pranë malit Hermon, në juglindje të Libanit. Ky incident bëri që makina e tyre të përfshihej nga flakët, duke rezultuar me vdekjen e tyre.
Ushtria izraelite konfirmoi kryerjen e sulmeve afër Shebës dhe deklaroi se ka vrarë dy trafikantë nga Brigada për Rezistencë Libaneze, një grup i lidhur me Hezbollahun. “Terroristët ishin të përfshirë në trafikimin e armëve që përdoren nga Hezbollahu dhe aktivitetet e tyre përbënin shkelje flagrante të mirëkuptimit mes Izraelit dhe Libanit,” tha ushtria izraelite, duke iu referuar armëpushimit që i dha fund mbi një viti armiqësi mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup i mbështetur nga Irani.
“Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik që i kanoset shtetit të Izraelit,” paralajmëroi ushtria.
Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi numrin e viktimave në Sheba dhe më vonë raportoi se gjatë një sulmi tjetër ajror ndaj një makine në fshatin Barashit, në jug të Libanit, u vra edhe një person dhe u plagosën katër të tjerë. Një sulm i ngjashëm ajror izraelit goditi gjithashtu mëngjesin e së shtunës një makinë tjetër pranë një spitali në Bint Jbeil, duke plagosur shtatë persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Sulmet e fundit vijnë teksa Bashkimi Evropian shprehu shqetësime lidhur me sulmet e vazhdueshme izraelite pavarësisht armëpushimit të arritur nëntorin e vitit të kaluar. “Fokusi i të gjitha palëve duhet të jetë në ruajtjen e armëpushimit dhe përparimin e arritur deri më tani,” tha zëdhënësi për çështje të jashtme i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni.
Izraeli argumenton se Libani po vepron shumë ngadalë për të çarmatosur Hezbollahun dhe insiston se ka të drejtë të kryejë operacione për të mbrojtur kufijtë e tij dhe qytetarët nga sulmet. Të enjten, Izraeli kreu një sërë sulmesh ajrore në jug të Libanit dhe paraprakisht paralajmëroi civilët që të evakuoheshin nga zonat që do të shënjestronte.
