Ngacmimi i gazetarëve nga zyrtarët shqiptarë po bëhet një normë shqetësuese
Gjatë mbulimit të zgjedhjeve të përgjithshme të majit në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi vuri re nëpunës civilë duke vepruar në mënyrë të dyshimtë pranë një qendre votimi, duke u afruar më shumë sesa lejon legjislacioni zgjedhor. Kur ai u identifikua si gazetar dhe filloi t’i filmuante, një person i panjohur e kërcënoi dhe më pas e sulmoi. Agresori, sipas tij, ishte “një individ që shoqëronte një zyrtar publik”.
Ky nuk ishte i vetmi incident i këtij lloji gjatë zgjedhjeve. Zyrtarët ose kanë nxitur këto sulme, ose nuk kanë arritur t’i parandalojnë ato. Elsa Xhindole, korrespondente e MCN TV, gjatë një raportimi nga një qendër votimi në Pogradec, pretendon se një person i paidentifikuar i sekuestroi telefonin. “Ndërsa isha brenda qendrës së votimit, një person i paidentifikuar më rrëmbeu nga dora telefonin dhe fshiu materialin që kisha filmuar,” tha Xhindole. Ajo shtoi se zyrtarët nuk bënë asgjë për ta ndaluar këtë veprim.
Raporti i vëzhguesve të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, i publikuar së fundmi, mbi zgjedhjet e majit ka dokumentuar disa raste kanosjeje dhe pengimi të gazetarëve. Organizata për lirinë e medias, Safe Journalists, ka regjistruar 36 sulme ndaj gazetarëve në Shqipëri gjatë këtij viti. Shumë prej tyre operojnë në komunitete të vogla, ku kanë pak mjete mbrojtjeje.
Gazetarët në Shqipëri po përballen me presion në rritje, si pasojë e retorikës armiqësore ndaj medias në një mjedis politik shumë të polarizuar. Kritika dhe fyerje vijnë edhe nga politikanë të lartë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Rama ka folur për një “kënetë politiko-mediatike”, ndërsa Veliaj, pasi u arrestua për akuza korrupsioni në shkurt, i përshkroi gazetarët si “qen”.
Organizata Reporterët pa Kufij, në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit 2025, vë në dukje se gazetarët në Shqipëri janë nën kanosje si nga politikanët, ashtu edhe nga grupet e krimit të organizuar. Problemi përkeqësohet nga “një kuadër ligjor me të meta dhe rregullim partiak,” sipas tyre.
Situata është më e vështirë në komunitetet e vogla. Aty, gazetarët vendas dhe zërat e opozitës përballen me kanosje të koordinuara, shpesh pa mbrojtje institucionale. Kjo situatë tregon një krizë të thelluar të lirisë së shtypit në Shqipëri dhe normalizimin e kanosjes si mjet për të heshtur disidencën.
Video virale dhe presion nga kryetari i bashkisë
Në tetor, korrespondenti i Report TV në Gjirokastër, Piro Nase, raportoi se kishte marrë disa telefonata kërcënuese pas publikimit të një storjeje lidhur me pezullimin e një zyrtari policie në Përmet, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në një rast abuzimi seksual.
Në lindje të Shqipërisë, një grup i quajtur Iniciativa e Gazetarëve të Rinj në Librazhd raportoi për një reagim të ashpër pas krijimit të një grupi online të quajtur “Nisma: Mbro Lumin Shkumbin nga Ndotjet”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ndotjen e lumit.
“Pasi publikuam një video në Facebook të një spitali në Librazhd duke hedhur mbeturina në lumin Shkumbin, ajo u bë virale,” tha Dorina Haruni, një nga gazetaret e grupit. “Si rezultat, unë dhe familja ime u përballëm me ngacmime nga bizneset dhe banorët në Librazhd që janë ndotës të shpeshtë të lumit,” kujtoi ajo. “Kisha frikë për punën time sepse bashkia dhe vetë kryetari i bashkisë më telefonuan disa herë, duke më nxitur të ndaloja fushatat e mia publike për ndotjen e lumit.”
Situata është e ngjashme edhe në komunitete të tjera të vogla, ku zyrtarët e qeverisjes vendore kanë një ndikim të fortë. Gazetarët e pavarur përballen me kanosje online dhe personale.
Një sulm kibernetik kohët e fundit shënjestroi Citizens Channel, një organizatë mediatike që mbështet gazetarët dhe promovon gazetarinë qytetare në Shqipëri, duke sulmuar faqen e saj të internetit dhe platformën online. “Sulmi filloi me sulme DDoS (Distributed Denial of Service) dhe injektimin e skripteve të dëmshme,” kujtoi Lorin Kadiu, drejtori i Citizens Channel. U fshinë artikuj, përfshirë raportime kritike mbi marrëveshjen e dyshimtë të bashkisë së Tiranës me kompaninë private Fusha Sh.P.K. për tenderë ndërtimi, si dhe mijëra postime. Megjithatë, Meta, kompania mëmë e Facebook, riktheu shumicën e përmbajtjes së humbur.
“Megjithatë, sfidat tona vazhduan, pasi u përballëm me një fluks prej mbi 50,000 ndjekësish të rremë në faqen tonë në Instagram brenda pak minutash,” tha Kadiu.
Abuzimet duhet të raportohen
Incidenti me Citizens Channel nënvizon nevojën që kompanitë e mëdha të mediave sociale si Meta t’i kushtojnë më shumë vëmendje problemeve të mediave të pavarura në vende më të vogla si Shqipëria. “Qe shumë e vështirë për ne të bindnim platformën se ne jemi një media dhe jo një faqe pirate që shet përmbajtje të paligjshme – kështu u raportuam,” tha Kadiu. “Në këtë rast, edhe nëse vetë platforma nuk synon censurë, politikat e saj krijojnë një kontekst ku censuruesit kanë një avantazh.”
Incidenti nxori gjithashtu në pah nevojën e gazetarëve për masa më të mira të sigurisë kibernetike. “Gazetarët, dhe media e pavarur në përgjithësi, kanë një nivel të ulët ndërgjegjësimi për sigurinë kibernetike, ose një aftësi për t’u mbrojtur, apo qasje në mbështetje teknike për t’u mbrojtur ose për të zbutur sulmet,” vuri në dukje Orkidea Xhaferaj, studiuese në SCiDEV.
Xhaferaj beson se duhet nxitur një kulturë raportimi për të inkurajuar gazetarët dhe publikun të denoncojnë abuzime, kërcënime ose probleme të tjera, dhe në këtë mënyrë të sigurohet llogaridhënia.
Pa veprime konkrete për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e sigurisë digjitale dhe institucionale, gjendja e lirisë së medias dhe llogaridhënies demokratike në Shqipëri do të mbetet e pasigurt. Ndërsa vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, garantimi i lirisë së shtypit duhet të mbetet një përparësi kryesore dhe do të kërkojë vigjilencë të vazhdueshme dhe mbështetje ndërkombëtare.
Arlis Alikaj është një gazetar i pavarur në Librazhd, Shqipëri. Opinionet e shprehura janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.