Bombardimet ruse vrasin 2 persona, mbyllen aeroportet e Moskës
Të paktën dy persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ruse në rajonet e Odesës dhe Zaporizhias, sipas autoriteteve ukrainase.
Guvernatori i Zaporizhias, Ivan Fedorov, bëri të ditur se një grua ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një djalë 11-vjeçar.
Ndërkohë, në rajonin e Odesës, guvernatori Oleh Kiper njoftoi se një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulm me raketë balistike ruse të tipit Iskander. Sipas tij, goditja shkaktoi zjarr në një ndërmarrje bujqësore, ku u përfshinë nga flakët automjete dhe një rezervuar karburanti.
Autoritetet ukrainase raportuan gjithashtu se dronët rusë goditën anije civile që lundronin drejt porteve të Ukrainës në Detin e Zi.
Zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba deklaroi se një anije mallrash me flamur panamez u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron, ku humbi jetën një kuzhinier 58-vjeçar nga Egjipti. Tetë anëtarë të ekuipazhit, përfshirë shtetas të Turqisë dhe Indisë, u evakuuan me varkë shpëtimi, ndërsa anija pësoi dëme të konsiderueshme.
Dy anije të tjera civile, me flamujt e Palaut dhe Belizes, u goditën gjithashtu gjatë natës. Sipas autoriteteve, nuk pati viktima në ekuipazhet e tyre dhe, megjithëse pësuan dëmtime, të dyja arritën të vazhdonin lundrimin.
Nga ana tjetër, autoriteti rus i aviacionit civil njoftoi se katër aeroportet që shërbejnë Moskën u mbyllën përkohësisht në orët e para të mëngjesit pas një sulmi me rreth 60 dronë ukrainas, si pjesë e përshkallëzimit të sulmeve mes dy vendeve.
