Analiza e CNN: Një sulm i SHBA-së në ishullin Kharg, “mund të paralizonte ekonominë e Iranit”
Ishulli Kharg është kthyer në qendër të tensionit gjeopolitik ndërkombëtar, ndërsa forca ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nxit skenarë për një operacion të mundshëm kundër një prej “arterieve” kryesore energjetike të Iranit.
Sipas një raporti të CNN, vendosja e anijeve luftarake, mjeteve zbarkuese dhe mijëra marinsave ka intensifikuar vlerësimet se Uashingtoni po shqyrton marrjen e kontrollit të ishullit, përmes të cilit transportohen rreth 90% e eksporteve të naftës bruto iraniane.
Çfarë është Ishulli Kharg?
Ishulli Kharg është një rrip toke prej rreth pesë miljesh, afër brigjeve të Iranit, i cili ka përmasat rreth një të tretën e Manhattanit. Zyrtarët amerikanë e përshkruajnë atë si “qendrën e të gjitha furnizimeve iraniane me naftë”. Skelat e tij të gjera shtrihen në ujëra të thella, të afta për të akomoduar supertankerë, duke e bërë atë një qendër kyçe për transportin dhe eksportin e naftës.
Ishulli ka qenë një shtyllë kryesore e ekonomisë së Iranit për dekada. Një dokument i deklasifikuar i CIA-s i vitit 1984 e përshkruan objektin si “më jetësorin në sistemin e naftës së Iranit”, duke theksuar se funksionimi i tij është thelbësor për mirëqenien ekonomike të vendit.
Ndërsa ekzistojnë rrugë alternative eksporti që anashkalojnë Ngushticën e Hormuzit, ato konsiderohen të kufizuara dhe nuk janë testuar në shkallë të gjerë. Në vitin 2021, u përurua terminali i naftës në Jask, në Gjirin e Omanit, megjithatë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ai nuk konsiderohet një alternativë plotësisht e besueshme për eksportet masive.
Para çdo operacioni, anijet amerikane do të duhet të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe të lëvizin në pjesën veriore të Gjirit Persik, duke u përballur me kërcënime të tilla si dronët, raketat balistike dhe minat detare.
Sipas James Stavridis, një operacion i tillë do të kërkonte epërsi të plotë ajrore dhe detare mbi një rreze të gjerë rreth ishullit. Një rrezik shtesë ka të bëjë me sulmet e mundshme ndaj anijeve zbarkuese, si dhe me praninë e mijëra punëtorëve në objektet e naftës së ishullit, të cilët do të duhej të evakuoheshin ose të viheshin nën kontroll.
Ish-Presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Richard Haas, vlerësoi se një operacion i tillë mund të shteronte rezervat e konsiderueshme të raketave amerikane dhe të shihej ndërkombëtarisht si një përpjekje për të sekuestruar burimet energjetike iraniane.
