Masakra në Australi: Autorët vizituan Filipinet para sulmit dhe u frymëzuan nga Shteti Islamik
Dyshja baba-bir, që qëndron pas sulmit në plazhin Bondi të Australisë, u frymëzua nga Shteti Islamik. Ky lajm u konfirmua nga kryeministri australian Anthony Albanese, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar arsyet e udhëtimit të sulmuesve drejt Filipineve muajin e kaluar.
Personat e armatosur, të cilët shkaktuan terror dhe vdekje gjatë festës hebraike të Hanukkah, vizituan Filipinet në nëntor. Ata mbërritën në vend më 1 nëntor dhe u larguan më 28 nëntor, konfirmoi për BBC-në zyra e imigracionit të Filipineve.
Sajid Akram, 50 vjeç, udhëtoi me një pasaportë indiane, ndërsa djali i tij, Navid, 24 vjeç, përdori një pasaportë australiane, sipas zëdhënëses Dana Sandoval. Destinacioni i tyre i fundit në Filipine ishte qyteti jugor i Davaos, ndërsa fluturimi i kthimit për në Australi ishte për në Sydney.
Davao është një metropol i vendosur në lindje të ishullit Mindanao, në pjesën jugore të Filipineve. Dihet se militantë islamikë operojnë në zonat e varfra të Mindanaos qendrore dhe jugperëndimore.
Ndërkohë, ushtria filipinase nuk ka mundur të konfirmojë menjëherë raportet se dy burrat kishin marrë “trajnim ushtarak” gjatë qëndrimit të tyre në vend.
Navid, i cili punonte si ndërtues, ishte në vëmendjen e Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (Asio) që nga tetori 2019. Ai u hetua për gjashtë muaj për shkak të “lidhejve të tij të dyshimta me persona të tjerë”. ABC raportoi se ky hetim kundër terrorizmit përfshinte një qelizë të Shtetit Islamik.
