“Kundërshtar i Listës Serbe”, Sveçla: Po i mohohet mbrojtja shtetasit serb të rrëmbyer
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka inspektuar zonën kufitare me Serbinë në Leposaviç, ku dyshohet se forcat serbe kanë hyrë dhe kanë rrëmbyer shtetasin Milan Vukashinoviq.
Sipas Sveçlës, Serbia ka dëshmuar edhe një herë se është një shtet agresor dhe antidemokratik, pasi personit të rrëmbyer po i mohohet mbrojtja ligjore.
“Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës, z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe. Ai, pas plagëve të marra, po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi.
Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore, e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj.
Institucionet tona po vazhdojnë me hetime intensive për zbulimin e të gjithë rastit dhe aktorëve të përfshirë në të dhe, në momentin e parë, do të sillen para përgjegjësisë, si dhe do të merren masa për t’i kundërvihen sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës”, shkruan Sveçla.
