Tabaku: Shqipëria drejt Evropës vetëm pa shumicën aktuale

Tabaku takon drejtuesit e fondacionit “Konrad Adenauer”: Shqipëria drejt Evropës vetëm nëse largohet kjo shumicë dhe ky kryeministër

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim me anëtarë të lartë të Fondacionit “Konrad Adenauer”. Të pranishëm në takim ishin Dieter Althaus, anëtar i Bordit të Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe ish-Ministër-President i Turingisë, Thomas Kunze, drejtues i fondacionit në Shqipëri, si dhe Alexander Beribes, këshilltar për Ballkanin Perëndimor.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se diskutimi u fokusua te situata aktuale e Shqipërisë, rruga drejt integrimit evropian dhe sfidat që vazhdojnë të pengojnë progresin e vendit.

Deputetja demokrate theksoi se integrimi evropian nuk duhet të shihet vetëm si një çështje e caktimit të datave apo e bërjes së deklaratave. Sipas saj, procesi kërkon një demokraci funksionale, një shtet të së drejtës të fortë dhe institucione që shërbejnë qytetarët, jo pushtetin.

Tabaku shtoi se Shqipëria nuk mund të avancojë drejt Evropës me një sistem joefikas dhe jo të ndershëm, i cili e mban vendin në vendnumëro. Ajo përfundoi duke theksuar se:

  • “Ky sistem duhet çmontuar.”
  • “Ndryshimi nis me largimin e kësaj shumice qeverisëse dhe të këtij kryeministri.”
Scroll to Top