Tabaku: Shtëpia e Fëmijës e Pallati i Kongreseve do të shemben

Tabaku: Pallati i Kongreseve dhe Shtëpia e Fëmijës do të shemben për të ndërtuar kulla

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, procedurë të cilën ai e ka deleguar te ministrja Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, Tabaku ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me funksionimin dhe transparencën e korporatës shtetërore. Ajo ka kërkuar informacion të detajuar mbi inventarin e pronave dhe mënyrën e bashkëpunimit me sektorin privat.

“Cili është inventari i këtyre pronave që posedon kjo korporatë? Mbi çfarë parimesh bazohen marrëveshjet me privatët? Si përzgjidhen partnerët dhe si garantohet që korporata nuk ka lidhje me krimin, ashtu siç ka ndodhur në rastin e PPP-ve?”, ka pyetur ajo.

Deputetja ka shprehur shqetësime edhe për projekte konkrete, duke përmendur Pallatin e Kongreseve dhe shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. Sipas saj, ekzistojnë plane për shembjen e këtyre objekteve dhe ndërtimin e kullave.

“Mbi çfarë parimi është vendosur që Pallati i Kongreseve t’i kalojë korporatës, e cila mund të çojë në shembjen e tij dhe ndërtimin e kullave? E njëjta gjë vlen edhe për Shtëpinë e Fëmijës ‘Zyber Hallulli’”, ka deklaruar Tabaku.

Ajo ka akuzuar qeverinë për mungesë totale transparence, duke theksuar se bilancet dhe raportet vjetore për projektet e mëdha nuk publikohen.

“Mbi çfarë parimi është vendosur që Pallati i Kongreseve t’i kalojë Korporatës, e cila do të shembë Pallatin e Kongreseve dhe do të ndërtojë kulla, apo edhe Shtëpinë e Fëmijës ‘Zyber Hallulli’, ku do të ndërtohen kulla. Për këtë arsye, Rama duhet të vinte të jepte llogari. Nuk ka asnjë transparencë. Edhe për një stilolaps kërkohet transparencë, po për projektet e mëdha? Pse nuk botohen bilancet, raportet vjetore?”, ka pyetur ajo.

Scroll to Top