Negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA, pozitive: Takimi Putin-Zelensky shumë pranë
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mund të takohen së shpejti nëse bisedimet mes vendeve të tyre dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë me sukses, sipas raportimit të Axios.
Bisedimet trepalëshe për paqe, të cilat u zhvilluan gjatë dy ditëve në Abu Dhabi dhe përfunduan të shtunën, shënuan takimin e parë të përbashkët të delegacioneve ruse, amerikane dhe ukrainase që nga përshkallëzimi i konfliktit afro katër vjet më parë.
Axios citoi një zyrtar amerikan të paidentifikuar të shtunën, i cili deklaroi se negociatat në Emiratet e Bashkuara Arabe “shkuan aq mirë sa mund të kishim pritur. Jemi të kënaqur me rezultatin aktual”.
Një tjetër zyrtar amerikan theksoi: “Jemi shumë afër një takimi mes Putinit dhe Zelenskyt”. Ai shtoi se “duhen zhvilluar bisedime të tjera trepalëshe Rusi-SHBA-Ukrainë para një takimi mes udhëheqësve. Nuk mendojmë se jemi shumë larg kësaj. Nëse vazhdojmë në rrugën aktuale, do të arrijmë në atë pikë”.
Zyrtari sqaroi se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe, i planifikuar për 1 shkurt në Abu Dhabi, mund të hapë mundësinë për një takim në Moskë ose Kiev.
Putin dhe Zelensky u takuan për herë të fundit personalisht në Paris në dhjetor 2019, gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania. Ata kanë zhvilluar dy biseda telefonike gjatë vitit pasardhës.
