Takim trepalësh SHBA-Ukrainë-Rusi për paqen

A do të përfundojë lufta pas 4 vitesh? Sot takimi tripalësh SHBA-Ukrainë-Rusi, çfarë pritet të ndodhë

Negociatorë nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë bisedimet e tyre të para trepalëshe sot në Abu Dhabi. Njoftimi vjen nga një zyrtar i lartë i Kremlinit, pas takimit të presidentit rus Vladimir Putin me përfaqësues të presidentit amerikan Donald Trump në Moskë.

Putin zhvilloi bisedime afro katër-orëshe me ndihmësin e Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhëndrin e tij, Jared Kushner, dhe Komisionerin e Shërbimit Federal të Blerjeve, Josh Gruenbaum. Nga pala ruse morën pjesë ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, dhe i dërguari për investime, Kirill Dmitriev.

Gjatë një telefonate me gazetarët, Ushakov përshëndeti bisedimet si “përmbajtëse, konstruktive dhe jashtëzakonisht të sinqerta”. Ai shtoi se grupi trepalësh i punës për sigurinë do të takohet për herë të parë në Abu Dhabi gjatë ditës së sotme. Ushakov bëri të ditur se ekipi rus, i udhëhequr nga Admirali Igor Kostyukov, kreu i inteligjencës ushtarake GRU, ka marrë udhëzime nga Putin dhe do të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe në orët në vijim.

Witkoff dhe Dmitriev do të zhvillojnë një takim të veçantë në Abu Dhabi për të diskutuar tregtinë Rusi-SHBA, sipas Ushakov. Ai gjithashtu theksoi se pala ruse ka ritheksuar se paqja mes Moskës dhe Kievit është e pamundur “pa zgjidhur çështjen territoriale”.

“Ne mbetemi të interesuar në zgjidhjen e krizës ukrainase me mjete politike dhe diplomatike. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, Rusia do të vazhdojë të përmbushë qëllimet e saj në fushën e betejës, ku trupat ruse kanë iniciativën”, deklaroi Ushakov.

Të enjten, presidenti Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Pas takimit, Trump u shpreh optimist për ndërmjetësimin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa pranoi kompleksitetin e çështjes kufitare. “Kishin raste kur Putini nuk donte të bënte një marrëveshje dhe raste kur Zelensky nuk donte të bënte një marrëveshje. Tani mendoj se të dy duan të bëjnë një marrëveshje”, tha Trump.

Scroll to Top