Zbardhet takimi i Kurtit me të dërguarin special të BE për dialogun me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë duhet të realizohet përmes njohjes reciproke.
Kryeministri i sapokonfirmuar në detyrë e bëri të ditur këtë nëpërmjet një postimi në platformën X, duke zbardhur takimin që zhvilloi një ditë më parë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ai theksoi se diskutimet u fokusuan në rrugën evropiane të Kosovës, sundimin e ligjit dhe, më e rëndësishmja, procesin e dialogut me Serbinë.
“Dje, prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, lidhur me takimet që zhvilloi me Kurtin, si dhe me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm, Glauk Konjufca, ka reaguar edhe Sørensen.
“Vizitova Kosovën për bisedime të frytshme me kryeministrin Kurti dhe ministrin e sapoemëruar të Jashtëm, Konjufca. U përqendruam në avancimin e normalizimit të raporteve me Serbinë, zbatimin e zotimeve dhe sigurimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën evropiane”, shkroi diplomati evropian në X.
