Takimi Putin-Modi: Kremlini zotohet për furnizime të vazhdueshme me naftë drejt Indisë
Presidenti rus Vladimir Putin siguroi sot se Rusia do të vazhdojë të furnizojë me naftë Indinë, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja ndaj Nju Delhit, të cilat pretendojnë se këto importe financojnë luftën ruse në Ukrainë.
Duke iu drejtuar kryeministrit indian Narendra Modi, Putin deklaroi: “Rusia është një furnizues i besueshëm i naftës, gazit dhe qymyrgurit, si dhe i gjithçkaje që i nevojitet Indisë për zhvillimin e saj energjetik.” Ai u shpreh se Moska do të vijojë furnizimin me naftë, duke shtuar para gazetarëve pas takimit: “Jemi të gatshëm të vazhdojmë pa ndërprerje furnizimet me naftë për rritjen e shpejtë të ekonomisë indiane.”
Modi, nga ana e tij, falënderoi presidentin rus për “mbështetjen e palëkundur ndaj Indisë”, duke theksuar se “siguria energjetike është një shtyllë e rëndësishme dhe e fuqishme” e partneritetit të tyre, pa përmendur shprehimisht naftën ruse.
Prej muajsh, India ndodhet nën presion nga SHBA-ja, e cila e akuzon Nju Delhin se po financon përpjekjen luftarake ruse në Ukrainë duke vazhduar blerjen e naftës së papërpunuar nga Moska.
