Taksë Pronës Shqipëri: 100 Milionë € Shtesë Nga 2029

Shqiptarët do të paguajnë të paktën 100 milionë euro shtesë në vit për taksën e pronës

Me zbatimin e reformës së re për taksimin e pasurive të paluajtshme, qeveria parashikon të rrisë peshën e të ardhurave për këtë zë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) nga 0.3% që është aktualisht, në 0.7% deri në 1%.

Sipas llogaritjeve, të ardhurat nga reforma e taksimit të pasurive të paluajtshme pritet të rriten me rreth 9.4 miliardë lekë (rreth 100 milionë euro) deri në 17 miliardë lekë (179 milionë euro) më shumë se sa arkëtohen aktualisht.

Për vitin 2025, bashkitë kanë arkëtuar gjithsej 8.1 miliardë lekë nga taksa e pasurive të paluajtshme. Të ardhurat nga kjo taksë përbëjnë 0.3% të PBB-së, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Reforma, përveç taksës së ndërtesës, ku propozohet rritja e shkallës dhe ndryshimi i formulës, parashikon taksimin edhe për kategori të tjera të pasurive të paluajtshme, si trualli dhe toka bujqësore, bazuar në vlerën e tregut.

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), pas zbatimit të reformës, të ardhurat nga taksa e pasurive të paluajtshme mund të arrijnë nivelet e 0.7% deri në 1% të PBB-së.

Në relacionin e projektligjit thuhet: “Të gjitha ndryshimet apo risitë e propozuara, në kuadër të kësaj iniciative, duke përfshirë këtu, rritjen e bazës tatimore, ndryshimin e bazës së taksës, minimizimin e kostove të administrimit, rritjen e efektivitetit të mbledhjes së detyrimeve, etj., do të kontribuojnë në rritjen e konsiderueshme të ardhurave nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas parashikimeve të FMN-së, pas implementimit të reformës, të ardhurat e gjeneruara mund të arrijnë nivelet e 0.7% – 1 % të PBB-së.”

Nëse të ardhurat nga taksimi i pasurive të paluajtshme do të arrijnë 0.7% të PBB-së (PBB me çmime korente sipas të dhënave të INSTAT arriti në 2.5 trilionë lekë, mbi 25 miliardë euro, për vitin 2024), të ardhurat në vlerë llogariten të arrijnë 17.6 miliardë lekë, ose 9.4 miliardë lekë më shumë se sa arkëtohen aktualisht. Kjo do të thotë një rritje prej 116%.

Skenari më optimist, për arritjen e të ardhurave në nivelin 1% të PBB-së, do të sillte arkëtime totale prej 25.1 miliardë lekë nga taksa e pasurive të paluajtshme, ose 17 miliardë lekë më shumë se sa arkëtohen aktualisht.

Reforma e taksës së pronës do të zbatohet gradualisht në dy faza. Për shkak të kompleksitetit të procesit dhe nevojës për përgatitjen e infrastrukturës së vlerësimit të pasurive, kalimi drejt taksimit mbi bazën e vlerës së tregut do të fillojë fillimisht për ndërtesat.

Sipas projektligjit:

  • Nga viti 2029 do të fillojë zbatimi i taksës së re për njësitë e ndërtesave.
  • Nga viti 2031 skema e re do të shtrihet edhe te trualli dhe parcelat bujqësore.

Deri në hyrjen në fuqi të sistemit të ri, do të aplikohet një periudhë tranzitore:

  • Për taksën e ndërtesës, periudha tranzitore do të zgjasë deri më 31 Dhjetor 2028.
  • Për truallin dhe tokën bujqësore, periudha tranzitore do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2030.

Për të dyja kategoritë, si për ndërtesat për banim dhe truallin, taksa e re pritet të rrisë detyrimin. Megjithatë, me formulën e re parashikohet zbritje e vlerës së pasurisë së paluajtshme deri në 50%.

Për taksimin e banesës së parë, formula e re përcakton një zbritje prej 50% të vlerës së shtëpisë si të patatueshme. Për të përfituar këtë zbritje, vlera e shtëpisë (mbi të cilën do të llogaritet taksa) nuk duhet të kalojë dyfishin e vlerës së pragut maksimal si të patatueshëm. Ky prag vlerë është i ndarë në 7 kategori sipas bashkive.

Në të kundërt, nëse vlera e shtëpisë tejkalon dyfishin e vlerës së pragut të patatueshëm, zbritje të patatueshme përfiton vetëm vlera e përcaktuar në draft.

Zbritje nga vlera e pronës parashikohet edhe për taksimin e truallit dhe tokës bujqësore, me 50% të vlerës në dy vitet e para tatimore.

Scroll to Top