Tallje raciste ndaj futbollistit në RTSH

Tallje e rëndë ndaj futbollistit me ngjyrë në ekranin e RTSH

Një futbollist me ngjyrë i skuadrës së Burrelit, Arnold Kwaku Siaw, është bërë viktimë e talljeve raciste gjatë një emisioni të transmetuar në RTSH. Gjatë një interviste, problemi me paraqitjen e tij në ekran, për shkak të pigmentit të lëkurës apo difekteve teknike, ka sjellë të qeshura në studio.

Në momentin kur futbollisti u shfaq për t’u intervistuar në emisionin “Super Gol”, pamja e tij nuk arrinte të dallohej qartë. Kjo situatë ka shkaktuar të qeshura në mes të drejtueses Hygera Sako dhe panelistëve Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola.

Situata ka qenë aq e rëndë sa klubi i KF Burrelit u detyrua të reagojë në faqen e tij në Instagram, duke shkruar: “Në një emision televiziv sportiv, u bë një akt i turpshëm bullizmi dhe talljeje ndaj lojtarit tonë Siaw, i cili me profesionalizëm e përulësi po përfaqëson me nder Burrelin.”

Kulmi i situatës u arrit kur, pasi futbollisti nuk po arrinte të shquhej në ekran, i ftuari Gert Haxhiu bëri komentin: “Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit na e zbuloi, sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin”.

Duke u përpjekur të menaxhojë situatën, drejtuesja Hygerta Sako u mundua të sqarojë duke thënë se “e ka fajin LED-i i RTSH-së”.

Kjo ngjarje ka bërë që edhe trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj, të reagojë, duke cituar: “Disa humbasin gjithçka për të ruajtur dinjitetin. Të tjerë fitojnë gjithçka, por e shesin shpirtin për një vend në tavolinë”.

Scroll to Top