Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim të rëndësishëm për platformën qeveritare e-Albania, duke shpallur që disa shërbime do të jenë me pagesë. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Shërbimet që do të pajisen me tarifa përfshijnë ato që kërkojnë nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikata elektronike për fiskalizimin, si dhe transaksionet në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Konkretisht, tarifat e miratuara janë:
- 4 800 lekë (përfshirë TVSH) për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 vit.
- 20 lekë (përfshirë TVSH) për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike për transaksion.
- 4 000 lekë (përfshirë TVSH) për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 vit.
- 15 lekë (përfshirë TVSH) për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Këto tarifa do të aplikohen si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për ata të huaj, për dokumentet me nënshkrim elektronik. Për qytetarët, tarifa do të jetë 2 000 lekë për një vit.
Pagesa e tarifave do të kryhet elektronikisht në portalin e-Albania, në momentin e aplikimit përkatës. Për shërbimet e vulosjes dhe transaksioneve në platformën GG, pagesat do të jenë periodike, mujore, bazuar në numrin e transaksioneve.
Në mbështetje të ligjit për qeverisjen elektronike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të ofrojë këto shërbime. Vendimi shfuqizon një vendim të mëparshëm të Këshillit të Ministrave për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të AKSHI-së.