Nga marsi 2026 nis rillogaritja e tatimit me DIVA; Si do bëhet kompensimi për arsimin e fëmijëve
Familjet që kanë në ngarkim fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë nga tatimet kompensimin për rritjen dhe arsimimin e tyre, duke filluar nga marsi 2026. Kompensimi nuk do të jepet si vlerë fikse, por do të rezultojë pas rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025. Kjo rillogaritje do të bëhet nëpërmjet plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) në muajin mars 2026.
Sipas skemës së kompensimit, baza e tatueshme, e cila përbëhet nga të ardhurat bruto vjetore të gjeneruara nga paga në vitin 2025, do t’i zbriten 48,000 lekë për rritjen e çdo fëmije dhe një shpenzim fiks prej 100,000 lekësh në vit për arsimimin e tyre (pavarësisht numrit të fëmijëve).
Individët që, pas rillogaritjes, rezultojnë me tatim të mbipaguar, do të kompensohen për diferencën. Kjo vlerë e kompensimit është pikërisht diferenca midis tatimit të paguar në 2025 dhe tatimit të rillogaritur në 2026, pas zbritjes së shpenzimeve.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të këtyre zbritjeve. Individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë do të përfitojnë zbritje prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në ngarkim. Ndërsa, individët me të ardhura deri në 1.2 milionë lekë në vit do të përfitojnë zbritje prej 100,000 lekësh për arsimimin e fëmijëve.
Në rastin e një çifti bashkëshortësh, e drejta për zbritjen e shpenzimeve për fëmijët dhe arsimimin, nëse plotësohet kufiri i të ardhurave, i përket anëtarit me të ardhura më të larta vjetore. Pra, zbritja nuk përfiton nga të dy prindërit, por vetëm nga ai me të ardhurat më të larta të deklaruara.
Tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj gjatë vitit 2025, por zbritja e shpenzimeve nga totali i të ardhurave vjetore do të bëhet në mars 2026, përmes plotësimit të DIVA-së. Nëse pas zbritjes së shpenzimeve rezulton tepricë kreditore në DIVA, do të thotë se tatimet kanë një borxh për t’ia kthyer individit. Nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) sqaron se individi ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e diferencës brenda 3 muajve pas plotësimit të DIVA-së, deri më 31 Mars 2026.
Si do të rillogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët
Sipas një shembulli të DPT-së, një individ me të ardhura mujore 70,000 lekë (840,000 lekë vjetore) që ka paguar 5,200 lekë tatim në muaj (62,400 lekë vjetor) dhe ka dy fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç, me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë, do të përfitojë zbritje shpenzimesh prej 48,000 lekë për çdo fëmijë (gjithsej 96,000 lekë) dhe 100,000 lekë për arsimimin. Pas zbritjes së totalit prej 196,000 lekësh nga të ardhurat, baza e re tatimore bëhet 644,000 lekë. Tatimi i ri që duhet të kishte paguar është 29,120 lekë. Diferenca prej 33,280 lekësh (62,400 lekë të paguar – 29,120 lekë të rillogaritur) është shuma që individi ka të drejtë ta kërkojë për rimbursim brenda 3 muajve pas plotësimit të DIVA-së.
Shembull:
- Të ardhura mujore nga punësimi: 70,000 lekë
- Të ardhura vjetore: 840,000 lekë
- Tatimi vjetor i paguar (pa zbritje): 62,400 lekë
- Zbritje për 2 fëmijë në ngarkim (nën 18 vjeç): 48,000 lekë/fëmijë x 2 = 96,000 lekë
- Zbritje fikse për arsimin: 100,000 lekë
- Zbritje totale: 196,000 lekë
- Baza e re tatueshme: 840,000 lekë – 196,000 lekë = 644,000 lekë
- Tatimi i ri që duhet të kishte paguar: 29,120 lekë
- Rimbursimi që i takon: 62,400 lekë – 29,120 lekë = 33,280 lekë
Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç edhe me 1 muaj punësim
Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në udhëzimin për ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” në nëntor 2025, kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç do të përfitohet edhe nga individët që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj gjatë vitit 2025. Skema mbetet e njëjtë, duke zbritur 48,000 lekë për çdo fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç. Kushti për përfitim është plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA).
Individët e punësuar me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë kanë detyrim ligjor për plotësimin e DIVA-së. Në rastin e një individi të punësuar vetëm në muajin maj 2025 me pagë bruto 500,000 lekë dhe një fëmijë në ngarkim 10-vjeçar, nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjeve të lejuara deri në 600,000 lekë dhe kompensimit prej 48,000 lekësh për fëmijën, baza tatimore rezulton negative. Në këto raste, baza tatimore konsiderohet 0 lekë, dhe tatimi i rillogaritur gjithashtu 0 lekë. Si rezultat, individi ka të drejtë të marrë rimbursim të plotë të tatimit të paguar gjatë vitit 2025, pra 91,100 lekë.
Shembull i ri:
- Individi “C” i punësuar vetëm në maj 2025.
- Paga bruto në maj: 500,000 lekë.
- Ka në ngarkim një fëmijë 10-vjeçar.
- Tatimi i paguar në listëpagesën mujore (për maj): 91,100 lekë.
- Zbritjet sipas nenit 22 dhe kompensimi për fëmijën: 600,000 lekë (zbritje e përgjithshme) + 48,000 lekë (për fëmijën) = 648,000 lekë.
- Diferenca negative: 500,000 lekë (të ardhurat vjetore) – 648,000 lekë = -148,000 lekë.
- Baza tatimore konsiderohet 0 lekë.
- Detyrimi tatimor: 0 lekë.
- Rimbursimi për tatimin e mbipaguar: 91,100 lekë – 0 lekë = 91,100 lekë.
Dokumentacioni që duhet ruajtur
Për të përfituar nga zbritjet e shpenzimeve për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve, duhet ruajtur dokumentacioni përkatës, duke përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim dhe kontratat me institucionet arsimore, përfshirë pagesat për gjuhët e huaja. Dokumentacioni justifikues nuk ngarkohet në sistem në momentin e plotësimit të DIVA-s, por duhet ruajtur nga individi përfitues në rast kontrolli tatimor.
Ligji për procedurat tatimore parashikon ruajtjen e dokumentacionit deri në 5 vjet. Në rast se individi deklarues nuk disponon dokumentacionin që justifikon zbritjet, deklarimi do të konsiderohet i gabuar dhe individi do të penalizohet.
Fëmijët që ndjekin arsimin publik nuk përfitojnë nga kjo zbritje, pasi nuk ka pagesë të dokumentuar. Vetëm shpenzimet reale, të justifikuara me fatura për arsimin e fëmijëve, mund të zbriten nga baza tatimore.
15 milionë euro llogaritet efekti për kompensimin e shpenzimeve për fëmijët
Ministri i Financave deklaroi se nga zbatimi i kompensimit për shpenzimet e fëmijëve deri nën 18 vjeç, përmes deklaratës DIVA, efekti financiar llogaritet 15 milionë euro. Kjo nismë pritet të ulë ndjeshëm normën efektive të tatimit për familjet me fëmijë.
