Tatimet shtyjnë deri më 20 Shkurt afatin për deklarimin e inventarit
Pas problemeve të shfaqura prej më shumë se dy javësh në sistemin SelfCare, Tatimet njoftuan sot shtyrjen e afatit për deklarimin e inventarit analitik të vitit 2025.
Administrata Tatimore informon tatimpaguesit se afati për deklarimin e inventarit analitik për datën 31.12.2025, shtyhet deri më 20.02.2026. Kjo shtyrje e afatit realizohet me qëllim garantimin e përmbushjes së saktë dhe korrekte të këtij detyrimi ligjor nga ana e tatimpaguesve.
Inventari duhet të përmbajë informacione në lidhje me lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, të detajuara sipas:
- Njësisë
- Sasisë
- Çmimit
- Vlerës
Deklarimi i inventarit duhet të kryhet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 20.02.2026, duke u ngarkuar me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të përmbushin me korrektësi këtë detyrim ligjor brenda afatit të përcaktuar, me qëllim shmangien e verifikimeve në vend dhe aplikimin e penaliteteve përkatëse.
