Tatime: Listë Pagesash Indikative Sektori Mjekësor & Estetik

Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik.

Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin mjekësor dhe në shërbimet e kujdesit personal (estetikë) se është publikuar lista e pagave indikative për profesionet që operojnë në këta sektorë. Kjo listë do të shërbejë si një instrument referues për analizën e riskut, me qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të mosdeklarimit të pagave reale të punonjësve.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore do të analizojë të dhënat e deklaruara në listëpagesat e subjekteve që operojnë në këto sektorë, duke i krahasuar ato me nivelet indikative të pagave sipas profesioneve përkatëse. Tatimpaguesit që deklarojnë paga nën nivelin e pagave indikative për profesionet përkatëse, apo që ndryshojnë kategorizimin e profesionit të punonjësit me qëllim deklarimin e një page më të ulët, do të konsiderohen me risk dhe do të jenë objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të deklarojnë në mënyrë të saktë pagat reale të punonjësve në sektorin mjekësor dhe estetik në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi. Masat për deklarimin e saktë të pagave synojnë rritjen e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, me qëllim sigurimin e pensioneve dinjitoze për punonjësit e sektorit të mjekësisë dhe të kujdesit personal (estetikë).

Në sektorin mjekësor, paga më e ulët referencë është për laborantët me 80 mijë lekë, për farmacistët referenca është 110 mijë lekë dhe për mjekët e specializuar nga 200 deri në 215 mijë lekë.

Në kujdesin personal, pagat variojnë nga 75 mijë lekë për berberët deri në 120 mijë lekë për instruktorin personal.

(Më poshtë lista për shkarkim)

Scroll to Top