Tatime: Si identifikoni vetëpunësimin fiktiv?

Publikohen 5 shembujt në udhëzim, ja cilin tatimet vlerësojnë si vetëpunësim fiktiv

Administrata Tatimore ka paralajmëruar se do të rikategorizojë të ardhurat e të vetëpunësuarve, në rastet kur vetëdeklarimet rezultojnë me të dhëna të pasakta. Në ndryshimet e udhëzimit për ligjin “Për tatimin për të ardhurat”, janë publikuar 5 shembuj të cilët klasifikojnë rastet kur të vetëpunësuarit konsiderohen realë dhe kur fiktivë.

Shumë punonjës me rroga të larta, të punësuar pranë kompanive, për të shmangur tatimet apo për të ulur detyrimet tatimore, dolën nga listëpagesat dhe u regjistruan si individë të vetëpunësuar. Për të identifikuar të vetëpunësuarit e vërtetë, në paketën fiskale 2026 u miratuan disa ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”, të cilat sollën detyrimin për vetëdeklarimin e të dhënave të kësaj kategorie.

Sipas ndryshimeve të miratuara në paketën fiskale, brenda muajit mars 2026, të gjithë individët e vetëpunësuar që marrin mbi 80% të të ardhurave nga një klient i vetëm ose mbi 90% nga më pak se tre klientë, duhet të vetëdeklarojnë të dhëna për shërbimet, mënyrën e punës, etj., me qëllim vërtetimin e burimit të të ardhurave.

Vetëdeklarimi do të kryhet përmes plotësimit të formularit “Deklarata e Statusit të Vetëpunësuarit”, të cilin më pas ia dorëzojnë administratës tatimore.

Shembujt e udhëzimit

Shembulli 1

Një individ i vetëpunësuar, i regjistruar me aktivitet “Shërbime për shfaqje artistike”, gjatë vitit tatimor 2025 realizon të ardhura bruto në shumën 3,500,000 lekë. Nga këto të ardhura, 2,900,000 lekë, ose rreth 83% e totalit, realizohen nga një klient i vetëm rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave realizohet nga dy klientë të tjerë të ndryshëm.

Referuar shkronjës “ç”, pika 1, e nenit 12 të ligjit, ky individ do të plotësonte kriterin për t’u trajtuar si e ardhur nga punësimi për qëllime tatimore. Megjithatë, individi i vetëpunësuar, duke vlerësuar rrethanat konkrete të marrëdhënies ekonomike me klientin, dorëzon pranë drejtorisë tatimore rajonale Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit, në të cilën vetëdeklaron se nuk ndodhet në kushtet e të ardhurave nga punësimi. Deklarata dorëzohet brenda muajit mars, së bashku me Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi.

Në këtë rast, deri në një vlerësim të kundërt nga administrata tatimore, të ardhurat e individit të vetëpunësuar trajtohen si të ardhura nga biznesi, dhe individi plotëson rubrikat përkatëse të të ardhurave nga biznesi në Deklaratën Tatimore Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi. Administrata tatimore, në ushtrim të kompetencave të saj në zbatim të ligjit për procedurat tatimore, përdor Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit si mjet vlerësimi për verifikimin e mëtejshëm, për të përcaktuar nëse ky tatimpagues është apo jo në kushtet e shmangies tatimore.

Shembulli 2

Një doktor me iniciale “A.N.” është i vetëpunësuar dhe ka një kontratë shërbimi me një spital, duke përfituar të ardhura vjetore prej 200,000 lekësh, sipas faturimit që kryen kundrejt spitalit. Gjatë ushtrimit të detyrës ai përdor pajisjet e spitalit (aparatura, sallat, zyrat, materialet mjekësore) pa investuar vetë. Pacientët që mjekon i siguron spitali, nuk i sjell ai vetë. Ai e ushtron detyrën në orarin e përcaktuar nga spitali. Spitali mbikëqyr punën e tij dhe vendos rregullat që ai duhet të ndjekë gjatë ushtrimit të detyrës, sipas rregulloreve të spitalit.

Pra, pavarësisht se doktori “A.N.” sillet si një vetëpunësuar, në fakt sjellja e tij është e njëjtë me atë të një të punësuari, pasi ai është i varur nga spitali për punën dhe mjetet, nuk mban risk financiar, prandaj për qëllime tatimore ai do të trajtohet si punonjës i spitalit.

Shembulli 3

Një kuzhinier me iniciale “B.C.” ushtron profesionin si i vetëpunësuar në restorantin “Z” dhe nuk mund ta delegojë apo zëvendësojë veten me dikë tjetër. Restoranti ku ai punon ka investuar mbi të gjitha pajisjet e kuzhinës dhe furnizon të gjitha materialet që i duhen kuzhinierit “B.C.” për të kryer punën e tij. Gjithashtu, restoranti ka përcaktuar edhe orarin dhe ditët e punës të kuzhinierit “B.C.”. Ai paguhet me pagë fikse mujore 250,000 lekë, pavarësisht qarkullimit që kryhet në restorant, sipas kontratës që ka me restorantin.

Pra, kuzhinieri “B.C.” në këtë rast është një punonjës i restorantit, pavarësisht sjelljes së tij si i vetëpunësuar, për arsye se sjellja e tij është e njëjtë me atë të një punonjësi, ai nuk mban risk dhe puna e tij kontrollohet tërësisht nga restoranti.

Shembulli 4

Personi i vetëpunësuar me iniciale “E.D.” është një shkrimtar. Ai përdor mjetet e veta (kompjuter, printer, etj.) për shkrimet e tij. Punën ai e kryen në ambientet e shtëpisë së tij dhe orarin e punës e ka të papërcaktuar. Shkrimet e tij mund të jenë në forma të ndryshme (si libër apo artikuj të ndryshëm). Për çdo shkrim të tij, ai merr pagesën përkatëse, sipas marrëveshjes që bën me shtëpinë botuese apo redaksinë që ai zgjedh vetë.

Ky shkrimtar, në këtë rast, është kontraktor i pavarur, për arsye se e gjithë puna bazohet në krijimtarinë e tij të pavarur dhe nuk kontrollohet apo drejtohet nga një shtëpi botuese apo redaksi, dhe në këtë mënyrë ai mban riskun e të ardhurave të tij.

Shembulli 5

Arditi, një hidraulik me përvojë, ka rënë dakord me një kompani për të kryer shërbime me kohë të plotë në kantieret e ndërtimit si i vetëpunësuar. Ai përdor mjetet e tij personale dhe kryen punën sipas rendit dhe specifikimeve të përcaktuara nga kompania. Kompania furnizon të gjitha materialet, kryen inspektime të shpeshta të punës së tij dhe e paguan atë sipas sasisë së punës së kryer.

Arditi nuk ka një vendndodhje biznesi dhe nuk kërkon të ofrojë shërbime të ngjashme për palë të tjera. Të dyja palët mund ta ndërpresin marrëdhënien në çdo kohë. Arditi, në këtë rast, është qartësisht një punonjës i kompanisë, pasi e gjithë puna e tij drejtohet nga kompania dhe ai nuk mban risk financiar. Pavarësisht se ai përdor mjetet e tij personale në kryerjen e punës dhe faturon kompaninë për çdo shërbim të tij, është kompania ajo që i siguron atij punën, kontrollon cilësinë e saj, furnizon Arditin me të gjitha materialet e nevojshme dhe është e vetmja kompani me të cilën Arditi operon.

Scroll to Top