Të burgosurit me rrezikshmëri të lartë transferohen nga Durrësi në burgun e Peqinit
Një masë e jashtëzakonshme sigurie është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të datës 15 janar 2026. Pesëmbëdhjetë të burgosur me rrezikshmëri tepër të lartë janë transferuar nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, institucioni që aktualisht konsiderohet si më i sigurt në vend.
Transferimi është kryer pas mesnate, nën shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore, me masa të shtuara sigurie dhe protokolle strikte. Të burgosurit kanë mbërritur në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15.
Vendimi për zhvendosjen masive të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit. Kjo ngjarje ka tronditur sistemin e sigurisë së burgjeve shqiptare dhe ka nxjerrë në pah nevojën për një riorganizim të menjëhershëm të burgjeve.
Bëhet me dije se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë rivlerësuar sa i përket nivelit të rrezikshmërisë. Urdhri ka qenë largimi i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit, i cili është cilësuar shpesh për kushtet e tij më komode, dhe sistemimi i tyre në një nga 7 burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në Shqipëri.
Në Burgun e Durrësit ndodheshin 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një total prej 54 të dënuarve dhe 152 paraburgosurve. Arratisja e Altin Ndocit, i akuzuar për disa krime të rënda, u bë shkak për këtë operacion.
