Të huajt në Shqipëri: Rritje rekord në 2025, kërkesa nga Azia

Numri i të huajve në Shqipëri arrin nivel rekord në vitin 2025, me rritje të ndjeshme nga India, Filipinet dhe Egjipti.

Viti 2025 shënoi një rritje të konsiderueshme të numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Regjistri Elektronik për të Huajt (FER), të ofruara nga Policia e Shtetit për Monitor, tregojnë se deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë, duke shënuar kështu një nivel historik.

Deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit, duke shënuar një nivel rekord. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 65%, janë me leje pune dhe rreth 15% për arsye bashkimi familjar.

Krahasuar me vitin 2024, numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi u rrit me rreth 4,800 banorë, ose 22%. Nga totali prej 27,514 leje qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova dhe Italia.

Numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 32%. Ndryshe nga shtetasit e tjerë, banorët nga Kosova pajisen me leje qëndrimi me afat 5-vjeçar.

Pas Kosovës, numrin më të lartë të shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi e ka Italia, me 3,776 persona, që përbën 14% të totalit të të huajve. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 75%.

Përveç Italisë dhe Greqisë, të cilat tradicionalisht kanë kryesuar për leje qëndrimi, një rritje të ndjeshme në vitin 2025 është shënuar nga shtetasit nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët janë ngjitur përkatësisht në vend të tretë, të katërt dhe të pestë.

  • Numri i shtetasve nga India në vitin 2025 arriti në 2,399, ose 47% më shumë se një vit më parë. Shtetasit nga India përbënë 14% të totalit të huajve të pajisur me leje qëndrimi. Këta punojnë kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe teknologjisë së informacionit.
  • Shtetasit nga Filipinet, të pajisur me leje qëndrimi në vitin 2025, ishin 2,213 persona, ose 130% më tepër se në vitin 2024. Këta shtetas punojnë kryesisht në shërbimet shtëpiake dhe në hotele e restorante, si dhe më pak në fason.
  • Për vitin 2025, numri i shtetasve të huaj nga Egjipti ishte 2,007 persona, rreth dy herë më shumë se në vitin 2024. Ata punojnë në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, dhe përbënë 7% të totalit të të huajve në vitin 2025.
  • Numri i shtetasve nga Turqia ishte 1,862 persona, duke përbërë 7% të totalit në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me rreth 47%.
  • Numri i shtetasve të huaj nga SHBA arriti në 1,128 banorë, 164% më shumë se në vitin 2024.
  • Mjanmari ka 445 persona (2% të totalit), duke u rritur me 77% më shumë se në vitin 2024.
  • Numri i shtetasve nga Kina arriti 362 persona, 42% më shumë se në vitin 2024.
  • Numri i shtetasve të huaj nga Nigeria arriti 184 persona për vitin 2025.

Aplikime të reja për vitin 2025, kryesohen nga shtetasit indianë dhe filipinas

Gjatë vitit 2025, sipas Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, duke treguar një rritje të dukshme krahasuar me 13,176 aplikime të përpunuara gjatë vitit 2024. Ky numër përfaqëson një rritje prej 6,145 aplikimesh, ose 47% më shumë.

Gjatë vitit 2025, shtetësitë kryesore që kanë aplikuar për herë të parë për leje qëndrimi ishin:

  • India me 2,691 aplikime (14% e totalit)
  • Filipinet me 2,415 aplikime (13%)
  • Italia me 2,239 aplikime (12%)
  • Egjipti me 2,198 aplikime (11%)
  • Kosova me 1,813 aplikime (9%)
  • Turqia me 1,441 aplikime (7%)
  • SHBA me 606 aplikime (3%)
  • Mianmar me 506 aplikime (3%)
  • Rusia me 442 aplikime (2%)
  • Ukraina me 312 aplikime (2%)

65% e aplikimeve të reja janë për punësim

Motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri vijon të jetë punësimi dhe bashkimi familjar. Për vitin 2025, nga totali i aplikimeve të reja, 65% ishin për leje unike punësimi. Pasuan aplikimet për bashkim familjar, që përbënë 13%, dhe rreth 5% e tyre ishin për qëllime studimi.

Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40, duke përbërë 0.2% të totalit të aplikimeve për vitin 2025.

Nga totali i aplikimeve për vitin 2025, 7,049 aplikime, ose 36.4%, ishin nga femra, dhe 12,272 aplikime, ose 63.6%, ishin nga meshkuj.

Scroll to Top