Titulli: Të rinjtë “braktisin” zgjedhjet, votuesit mbi 55 vjeç vendimtarë për rezultatin
Personat mbi moshën 55 vjeç përbënin një të tretën e zgjedhësve të cilët kishin të drejtë vote në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara dje në pesë bashki: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 16% e zgjedhësve të moshës 55-64 vjeç dhe 18.4% të moshës mbi 65 vjeç ishin në listat e votuesve.
Megjithatë, preferenca e tyre për kandidatët për kryetarë bashkie rezultoi vendimtare për rezultatin përfundimtar, për shkak të interesit dhe gatishmërisë së tyre më të lartë për të votuar, në krahasim me votuesit më të rinj.
Të dhënat zyrtare nga KQZ tregojnë se, ndonëse përbënin 34.4% të zgjedhësve të regjistruar, grupmosha mbi 55 vjeç kontribuoi me 50% të votave totale, duke tejkaluar peshën e tyre në listën e zgjedhësve me 15.5 pikë përqindje.
Grupmosha më aktive në votime ishte ajo mbi 65 vjeç, e cila dha 27.6% të votave, ndërsa përbënte 18.4% të listës së zgjedhësve. Interesi më i lartë nga kjo grupmoshë u shënua në Mat dhe Tepelenë, ku më shumë se gjysma e të regjistruarve mbi 65 vjeç morën pjesë në votime, ndërsa në Vlorë pjesëmarrja ishte 18%.
Grupmosha 55-64 vjeç kontribuoi me 22.3% të votave, ndërsa përbënte 16% të të regjistruarve. Ndërkohë, grupmosha 45-54 vjeç shënoi ekuilibrin më të lartë mes peshës në listën e zgjedhësve dhe numrit të votuesve, përkatësisht 16.7% dhe 15.5%.
Tek votuesit më të rinj, kontributi për votën ishte dukshëm më i ulët për dy arsye kryesore:
- Niveli i lartë i emigracionit, që ka prekur kryesisht moshat e reja.
- Interesi më i ulët për të votuar, çka bën që edhe ata që ndodhen në Shqipëri të mos i drejtohen qendrave të votimit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se grupmosha nga 18 deri në 44 vjeç përbënte gati gjysmën e listës së zgjedhësve (48.9%), por ata dhanë vetëm 34.6% të votave totale, duke lënë “fatit” e rezultateve në dorë të votuesve mbi 55 vjeç.
Interesi i të rinjve për të votuar ishte veçanërisht i ulët në Vlorë, ku më pak se 10% e grupmoshës deri në 35 vjeç iu drejtuan qendrave të votimit, duke dëshmuar kështu edhe për nivelin e lartë të emigracionit të tyre. Të rinjtë më të zellshëm për të votuar ishin në Mat dhe Tepelenë, ku 20-25% e atyre të moshës 18-34 vjeç morën pjesë në votime.
Zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan dje në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, pas krijimit të vakumit në postet e kryetarëve të bashkive si pasojë e dorëheqjeve, shkarkimeve apo marrjes së mandateve të tjera publike nga ish-kryetarët. Në total, në listën e zgjedhësve në këto bashki ishin 334,539 persona.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, përqindja e votuesve ishte 18.45% (për 383 qendra nga 472 gjithsej). Ky shifër tregon një interes shumë më të ulët në krahasim me zgjedhjet normale vendore të vitit 2023, ku pjesëmarrja totale ishte rreth 38%. Zgjedhjet ishin planifikuar edhe në kryeqytet, por u anuluan pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.
