AKSHI shpall fituesin për Sistemin e Menaxhimit Financiar, tenderi u zvarrit 8 muaj mes ankesash
Ndërkohë që institucionet shtetërore u detyruan të ktheheshin për disa javë në plotësimin manual të transaksioneve, duke kërkuar një numër nga Thesari, më në fund është shpallur kompania fituese për kontratën “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave”.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi në sistemin e prokurimit se kompania fituese ishte COMMUNICATION PROGRESS, me një ofertë prej 99.9 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 1 milionë euro.
Tenderi “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave” u çel në mes të korrikut të vitit të kaluar, me një fond limit rreth 1.7 milionë euro. Por, ashtu siç ka ndodhur me procedurat e tjera të AKSHI, edhe ky tender ka kaluar nëpër një sërë ankimimesh. Më i fundit, Komisioni i Prokurimit Publik dha vendimin në 27 janar, duke rrëzuar ankesën dhe duke i lënë të hapur mundësinë autoritetit kontraktor të vijonte me finalizimin e procedurave.
Vonesat detyruan Ministrinë e Financave të njoftonte institucionet e tjera për hapat që duhet të ndiqnin në kushtet e mosfunksionimit të sistemit AFMIS.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen e Prokurimeve, thuhej: “Njoftohen të gjithë Autoritetet/Entet Kontraktore buxhetore të cilët për zhvillimin e procedurave të prokurimit duhet të pajisen me numër transaksioni nga dega e thesarit, se: Referuar Urdhër Nr.18 Prot., datë 04.02.2026 “Për vijimin e procesit të ekzekutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026, në kushtet e mosfunksionimit të Sistemit AFMIS”, të Ministrisë së Financave, autoritetet/entet kontraktore duhet të kërkojnë në adresën e email-it, heqjen e integrimit me AFMIS me qëllim vijueshmërinë e hapave të mëtejshëm të procedurës.”
Tenderi për AFMIS, mirëmbajtja e sistemit informatik të menaxhimit financiar, sipas dokumenteve, parashikohej të bëhej për dy vite përmes kontratës së shpallur. Komponentët kryesorë që kishte kjo procedurë lidheshin me aspektet softuerike, si dhe infrastrukturën mbështetëse.
Në dokumente thuhej: “Objekti kryesor i këtij shërbimi është mirëmbajtja e Sistemit të Menaxhimit Financiar Shqiptar (Albanian Financial Management Information System – AFMIS) në çdo komponent të tij, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së punës prej 99.95% për të gjithë komponentët dhe shërbimet e ofruara nga ky sistem.
Komponentët kryesore të sistemit AFMIS, objekt i mirëmbajtjes së kësaj kontrate janë:
- i) Sistemi AFMIS në të gjitha komponentët e tij softuerike që përfshin modulet informatike si më poshtë vijon:
- Ëeb portalin e Arhivës Elektronike (AFMIS Ëeb Portal)
- Medium-Term Budget Planning (MTBP)
- Public Investment Management (PIM)
- Budget Project Portfolio Monitoring (BPPM)
- Integrimi i sistemit AFMIS me SIFQ
- Ndërfaqet e integrimit AFMIS me sistemet e tjera (SIFQ, IPSIS, APP, EAMIS, HRMIS).
- ii) Infrastruktura mbështetëse e sistemit që konsiston në pajisjet fizike (servera fizike dhe virtuale, storage, pajisje rrjeti) në site primar dhe sekondar, si dhe shërbimet mbështetëse të infrastrukturës si p.sh. virtualizim dhe cluster-izim.
