Tenderi i Fiskalizimit: Pezullimi Hequr, Hapat E Radhës Të AKSHI

Hiqet pezullimi për tenderin e fiskalizimit me vlerë 7.7 milionë euro, KPP: Autoriteti të vijojë hapat e radhës

Tenderët që lidhen me sistemet e informacionit dhe teknologjisë kanë qenë së fundmi objekt ankimesh pranë Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP). Shumica e procedurave me vlera milionëshe ankimohen në vazhdimësi, duke kaluar nëpër hallka të ndryshme, nga dokumentet e tenderit deri te vlerësimi, duke zgjatur procedurat pafund për finalizimin e një kontrate.

Një rast i tillë është edhe procedura për “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”. Ky tender, me fond limit 770 milionë lekë ose 7.7 milionë euro, u pezullua nga KPP rreth 10 ditë më parë. Një vendim i datës 11 shkurt ka hequr këtë pezullim, duke i lejuar autoritetit kontraktor të vijojë me hapat e radhës.

Sipas KPP, autoriteti kontraktor në këtë rast, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila zhvillon këtë procedurë për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka reflektuar kërkesat e bëra më herët nga Komisioni.

Tenderi për sistemin e fiskalizimit

Tenderi me objekt kontrate “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve” u shpall në prill të vitit të kaluar. Sipas dokumenteve të procedurës, qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një periudhë prej 24 muajsh.

“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardware). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore”, thuhet në dokumente.

Dokumentacioni thekson se disponueshmëria e sistemit të fiskalizimit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për qëllime përditësimi (upgrade, update) apo modifikime të tjera.

“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.

Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara. Dokumentet e tenderit përshkruajnë kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit.

Scroll to Top