Tension Kina-BE pas fjalimit të zv/presidentes së Tajvanit

Fjalimi i zv/presidentes së Tajvanit shkakton provokim politik, tension i ri diplomatik mes Kinës dhe BE-së

Një tension i ri diplomatik ka shpërthyer mes Kinës dhe Bashkimit Evropian, pas fjalimit të mbajtur dje nga Zëvendëspresidentja e Tajvanit, Hsiao Bi-khim, në Parlamentin Europian. Ky aktivitet u organizua nga Aleanca Ndërparlamentare për Kinën (IPAC).

Ky ishte fjalimi i parë zyrtar nga një zyrtar i lartë tajvanez në një parlament të huaj. Pekini e ka cilësuar këtë ngjarje si një “provokim të rëndë politik”.

Në një deklaratë të ashpër, Misioni kinez në Bruksel theksoi:

  • “Ky veprim shkel seriozisht parimin e ‘Një Kine’.
  • Ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës.
  • Dëmton seriozisht besimin e ndërsjellë politik mes Kinës dhe BE-së”.

Pekini i bëri thirrje institucioneve evropiane që të “respektojnë angazhimin e tyre për politikën e një Kine” dhe të ndalojnë çdo formë kontakti zyrtar me autoritetet tajvaneze.

Nga ana tjetër, organizatorët e aktivitetit në Bruksel e kanë mbrojtur ftesën, duke e cilësuar atë si “një akt solidariteti demokratik me popullin e Tajvanit”.

Ky episod pritet të testojë më tej balancën delikate të BE-së mes ruajtjes së marrëdhënieve tregtare me Kinën dhe mbështetjes së vlerave demokratike në Azi.

Scroll to Top