Tension në Fushë-Arrëz: Personi i armatosur sfidon forcat e policisë
Një rrethim policor është zhvilluar që prej mëngjesit të sotëm në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit. Një nga personat e armatosur, i identifikuar si 24-vjeçari Julian Cumraku, ndodhet brenda një banese dhe ka kërcënuar forcat e policisë se do të qëllojë mbi ta. Ai gjithashtu ka bërë thirrje duke thënë “Allahu Ekber”.
Policia e Pukës ka nisur një aksion në fshatin Orosh, i cili bën pjesë në njësinë administrative Qafë Mali në bashkinë Fushë-Arrëz. Vendësit raportojnë se bëhet fjalë për një banesë e cila është braktisur prej kohësh.
Për shkak të dyshimit se brenda banesës mund të gjenden dy persona të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë, policia e Pukës ka kërkuar mbështetjen e forcave speciale RENEA.
Për shkak të largësisë së zonës dhe mungesës së valëve telefonike, informacionet janë të kufizuara. Forcat e rendit po vijojnë kontrollet me kujdes të shtuar.
