Përshkallëzimi i tensioneve mes Venezuelës dhe SHBA-së, mblidhet sot Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Tensionet mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përshkallëzohen. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i sugjeron Presidentit Venezuelan, Nicolás Maduro, të japë dorëheqjen. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot në një seancë urgjente për të diskutuar këtë çështje.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të zhvillojë një takim urgjent të martën (23.12.) për të diskutuar tensionet mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara. Kërkesa për mbledhjen e ka bërë qeveria në Karakas, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Ndërkohë, retorika e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës po bëhet gjithnjë e më e ashpër.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi që Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, të japë dorëheqjen. “Varet tërësisht nga ai çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte e mençur nga ana e tij ta bënte këtë,” u shpreh Trump, duke u përgjigjur pyetjes nëse qeveria amerikane kishte ndërmend të detyronte Maduron të japë dorëheqjen duke ushtruar presion mbi Venezuelën. Trump shtoi gjithashtu se nëse ai sillet ashpër, “do të jetë hera e fundit që do të sillet ashpër”.
Pak më parë, edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, kishte kërkuar dorëheqjen e Maduros. “Ne nuk kufizohemi vetëm në kapjen e këtyre anijeve, por gjithashtu po i dërgojmë botës një mesazh se aktivitetet e paligjshme të Maduros janë të patolerueshme dhe se ai duhet të largohet,” tha Noem për Fox News. Anijet për të cilat flet Noem janë dy cisterna nafte të cilat SHBA-të i sekuestruan së fundmi në brigjet e Venezuelës. Një anije e tretë mallrash thuhet se është ende duke u gjurmuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së.
Trump: “Do të mbajmë anijet”
Sipas Presidentit Trump, cisternat e naftës të sekuestruara do të mbeten në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar cisternës së parë të naftës të sekuestruar më 10 dhjetor, ai tha për naftën: “Ne do ta mbajmë atë”. Ai shtoi se ajo mund të përdoret për rezerva strategjike. Trump vazhdoi: “Ne do i mbajmë edhe anijet”.
Qeveria e Venezuelës e dënoi ashpër sekuestrimin. Eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë rënë ndjeshëm që atëherë. Anijet e ngarkuara mbeten në ujërat e Venezuelës nga frika se rrezikojnë konfiskimin.
Në fillim të viteve 2000, Venezuela shtetëzoi fushat e naftës, duke prekur kompanitë e huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja. Kjo u pasua nga një mosmarrëveshje për kompensimin.
Fushata kërcënuese e Trump kundër Maduros përfshin praninë ushtarake në rritje në rajonin e Amerikës së Jugut. Përpara operacioneve kundër cisternave të naftës, ushtria amerikane kishte sulmuar vazhdimisht anije në Karaibe dhe në Paqësorin lindor në javët e fundit, duke pretenduar se ato kontrabandonin drogë drejt Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra njerëz humbën jetën në këto sulme. / DW
