Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) kanë vizituar objekte bërthamore në Iran javën e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, sipas mediave shtetërore.
Ky zhvillim vjen vetëm një javë pasi IAEA i ka kërkuar Iranit të “përmirësojë ndjeshëm” bashkëpunimin me inspektorët. Agjencia ka kryer mbi 10 inspektime në Iran që pas konfliktit 12-ditor me Izraelin në qershor. Megjithatë, javën e kaluar u theksua se nuk është lejuar hyrja në instalime kyçe si Fordow, Natanz dhe Isfahan, të cilat më parë kanë qenë nën sulme ajrore amerikane.
Një zyrtar iranian, Ismail Baghaei, deklaroi: “Për sa kohë që jemi pjesë e NPT-së (Traktatit për Mos përhapjen e Armëve Bërthamore), do të respektojmë detyrimet tona. Vetëm javën e kaluar, inspektorët e IAEA-s vizituan instalime bërthamore, përfshirë Reaktorin Kërkimor të Teheranit.” Ai nuk përmendi instalimet e tjera.
Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, javën e kaluar pati deklaruar se Irani duhet të përmirësojë ndjeshëm bashkëpunimin për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Perëndimin. Ai shtoi: “Irani nuk mund të thotë ‘unë mbetem në NPT’ dhe pastaj të mos respektojë detyrimet.”
Zyrtarët iranianë akuzojnë IAEA-n se po ofron pretekste për sulmet izraelite të qershorit, të cilat nisën një ditë pas votimit të bordit të IAEA-s për të shpallur Iranin shkelës të NPT-së. Tensionet rreth programit bërthamor iranian vazhdojnë të rriten. Teherani këmbëngul për të drejtën e pasurimit të uraniumit për qëllime paqësore, ndërsa Perëndimi dyshon për synime ushtarake.
