Përplasje mes Pekinit dhe Tokios në Paqësor, anije kineze hyjnë në ujërat territoriale të Japonisë
Tensionet mes Kinës dhe Japonisë po rriten. Anije të rojës bregdetare kineze kanë kaluar në ujërat rreth ishujve Senkaku, të cilët administrohen nga Japonia.
Rojë bregdetare kineze e ka cilësuar operacionin si “patrullim për zbatim të të drejtave”, duke shtuar se ky veprim ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Kina dhe Japonia kanë pasur përplasje të përsëritura rreth këtyre ishujve, të cilët Pekini i quan Diaoyu dhe Tokio Senkaku.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm pas deklaratave të zyrtareve japoneze për Tajvanin. Pekini lëshoi madje një udhëzim udhëtimi, duke u kërkuar qytetarëve të mos vizitojnë Japoninë për shkak të “rrezikut të shtuar për siguri”.
Konflikti u ndez kur zyrtarë japonezë, duke iu përgjigjur pyetjeve në parlament, thanë se një sulm kinez ndaj Tajvanit do të konsiderohej “një situatë që kërcënon mbijetesën e Japonisë” dhe për rrjedhojë mund të shkaktonte një reagim ushtarak nga Tokio.
Pekini e konsideron Tajvanin territor të vetin dhe është zotuar ta marrë nën kontroll, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Për Kinën, sovraniteti i Tajvanit është çështja më e ndjeshme në marrëdhëniet me vendet e tjera – një “vijë e kuqe” që nuk duhet shkelur.
