Trump: Lideri i Venezuelës i ka ditët e numëruara, Maduro kërkon ndihmë nga Moska
Pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se lideri i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ka ditët e numëruara, ky i fundit po i kërkon ndihmë Moskës. Venezuela po merr rol të ngjashëm për Rusinë, ashtu siç kishte Kuba për BRSS-në në të kaluarën.
Ndërsa tensionet mes Karakasit dhe Uashingtonit po rriten, Kremlini është i vendosur të luajë rolin e “Kubës së tij të re” për të ribalancuar ekuilibrin e pushtetit, duke përfshirë edhe negociatat për Ukrainën. Kjo situatë duket se acaroi Donald Trumpin, por për momentin nuk ka arritur të sabotojë dialogun.
Në një akt balancimi të kujdesshëm, siç vërehet nga deklaratat e Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, ai tha: “Po e monitorojmë nga afër atë që po ndodh. Duam që gjithçka të mbetet paqësore dhe të mos lindin konflikte të reja në rajon”. I pyetur lidhur me kërkesën e supozuar të udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro për armë për t’iu kundërvënë presionit në rritje të SHBA-së, ai nuk pranoi të komentonte.
Kohët e fundit, më 21 tetor, Moska ratifikoi një marrëveshje të partneritetit strategjik, jo rastësisht pasi Trump kishte urdhëruar një sulm ndaj anijeve venezueliane dhe i kishte dhënë CIA-s liri veprimi në vend. Maduro po shpreson t’i kujtojë SHBA-së se ka miq të fuqishëm dhe Vladimir Putinit se ka një partner besnik vetëm 2,500 km larg Floridës.
Kjo nuk është një marrëveshje e izoluar. Aktualisht janë rreth 350 marrëveshje dypalëshe në fuqi mes Moskës dhe Karakasit, përfshirë fabrikën e armëve Kalashnikov të përuruar korrikun e kaluar në shtetin venezuelan të Araguas.
Sipas Alexei Zhuravliov, zëvendëskryetari i parë i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës Shtetërore, Rusia është “një nga partnerët kryesorë ushtarako-teknikë të Venezuelës. Ne e furnizojmë vendin me pothuajse të gjithë gamën e armëve.” Ai shtoi se avionët luftarakë rusë Su-30Mk2 përbëjnë shtyllën kurrizore të Forcave Ajrore Venezueliane, ndërsa dorëzimi i disa batalioneve S-300VM ka forcuar aftësinë e vendit për të mbrojtur objektet kritike nga sulmet ajrore. Gjithashtu, sistemet ruse Pantsir-S1 dhe Buk-M2E janë dorëzuar së fundmi në Karakas me avionë transporti Il-76.
Zhuravliov theksoi se asgjë nuk do ta pengonte Rusinë të furnizonte Venezuelën me armë më moderne, siç janë “Oreshnik ose raketat e provuara Kalibr”, pasi “asnjë detyrim ndërkombëtar nuk e pengon Rusinë ta bëjë këtë.”
Megjithatë, sipas shkencëtarit politik Sergei Kurginyan, udhëheqës i lëvizjes nacionaliste “Esenca e Kohës”, Rusia po pengohet nga një “përshtatshmëri e pastër”. Në një intervistë për Radio Zvezda, ai shpjegoi se “për momentin, Rusia është ulur në dy karrige… Nëse vërtet vendosim ta armatosim plotësisht ushtrinë venezueliane – dhe Venezuela ka para, pse të mos e bëjmë? – atëherë brenda disa vitesh mund ta pajisim atë aq mirë sa të mos garantohet as superioriteti ajror i SHBA-së.”
