Tentoi të vriste me armë një 21-vjeçar në Shkodër, kapet në Tiranë 32-vjeçari
Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë një 21-vjeçar në Shkodër. I arrestuari është Eduard Kësolla, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
NJOFTIMI I POLICISE
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit kombëtar, të koduar “Operacionalja”, për kapjen e shtetasve në kërkim me rrezikshmëri të lartë.
Një person i dyshuar për tentativë vrasjeje me armë zjarri në Shkodër ndaj një 21-vjeçari, është kapur dhe vënë në pranga. Bashkë me të, në pranga ka rënë edhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” në Tiranë, personi i kërkuar. Automjeti tip “Audi” është sekuestruar.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit, siguruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, mbi vendndodhjen e një shtetasi me precedentë penalë për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje, si dhe veprimeve operacionale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”, është ndaluar në Tiranë shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës kishte lëshuar urdhër për ndalimin e tij, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
32-vjeçari akuzohet se më datë 16.01.2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. M., 21 vjeç.
Gjatë operacionit, është arrestuar edhe shtetasi Eduard Kësolla, 27 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër. 27-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi drejtonte automjetin me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” në Tiranë, 32-vjeçari që ishte në kërkim.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
