Tërhiqet nga tregu qumështi për foshnja “Aptamil”; AKU apelon: Kthejeni mbrapsht!
Qumështi formulë për foshnjat “Aptamil” është tërhequr nga tregu, pasi është rezultuar se përmban baktere. Ky rast vjen pas heqjes së produktit “NAN 1 OPTIPRO” pak ditë më parë, i cili gjithashtu rezultoi me probleme të ngjashme.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë me dije këtë informacion dhe i bën thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e posedojnë atë, ta kthejnë në pikat e shitjes.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant.
Të dhënat e produktit:
- Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
- Numri i artikullit: 172911
- Data e Skadencës: 10/11/2026
Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu. AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes,” – thuhet në njoftimin e AKU.
“Aptamili” është një nga formulat për foshnjat e moshës 0-2 vjeç që përdoret më së shumti në treg. Ky problem me qumështin pluhur formulë për foshnja është kthyer në një çështje serioze në të gjithë Europën.
